Connect with us

Lajme nga bota

Në përfundim të fushatës zgjedhore, Harris dhe Trump kritikojnë ashpër njëri-tjetrin

Published

on

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, e kritikoi ish-presidentin Donald Trump si njeri të paqëndrueshëm dhe të fiksuar pas hakmarrjes, gjatë një tubimi zgjedhor në vendin afër Shtëpisë së Bardhë ku, më 6 janar 2021, Trump iu drejtua mbështetësve të vet para se ata ta sulmonin Kapitolin.

Duke folur në Uashington më 29 tetor, një javë para ditës së zgjedhjeve presidenciale, Harris, kandidatja demokrate për zgjedhjet e 5 nëntorit, e dha atë që fushata e saj e quajti “mesazh përmbyllës” në një skenë të mbushur me shenja të mëdha ngjyrë qielli, me mbishkrimin “Liri”.

Harrisi u zotua se do të jetë “presidente për krejt amerikanët”, ndërsa e quajti kundërshtarin e vet republikan “të paqëndrueshëm, të fiksuar pas hakmarrjes dhe të pakontrollueshëm”.

Organizatorët thanë se rreth 75.000 njerëz morën pjesë në tubim, edhe pse ky numër nuk u verifikua nga policia apo vëzhguesit e pavarur.

Disa mbështetës të Harrisit kishin pritur në radhë për më shumë se shtatë orë për ta dëgjuar fjalimin e saj në parkun ku Trumpi kishte folur para se një grup nga turma ta sulmonte Kapitolin në përpjekje për ta penguar certifikimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Advertisement

Ish-presidenti dhe aleatët e tij janë përpjekur ta mohojnë dhunën e 6 janarit.

Para fjalimit të Harrisit, Trumpi dhe fushata e tij u përpoqën t’i kufizojnë dëmet, duke e mohuar një shaka denigruese për Porto Rikon që e kishte bërë një komedian në skenë para se Trumpi të paraqitej në një tubim në Nju Jork gjatë fundjavës. Disa prej aleatëve të Trumpit e dënuan atë shaka, e cila iu referua territorit amerikan si “një ishull plehrash”.

Derisa fushata e tij tha se ajo shaka nuk pasqyron pikëpamjet e ish-presidentit, Trumpi e mbrojti atë gjatë tubimit, ku kishte edhe deklarata të tjera raciste dhe vulgare.

“Dashuria në atë dhomë të lë pa frymë. Ishte sikur një festival dashurie. Kisha nderin që u ftova”, tha ai.

Trump nguli këmbë se Harrisi është ajo që ka përhapur urrejtje dhe përçarje, duke thënë se ajo ka kryer “një fushatë urrejtjeje”.

Advertisement

Mbrëmjen e 29 tetorit, Trumpi e mbajti një ngjarje në Allentovn, Pensilvani, një qytet i cili ka një komunitet të madh portorikan. Pensilvania është ndër shtatë shtetet e luhatshme që pritet të jenë vendimtare në këto zgjedhje.

Banorët e Porto Rikos nuk votojnë për president, por gati 6 milionë njerëz nga ishulli i Karaibeve, të cilët kanë emigruar dhe tani jetojnë në SHBA, votojnë.

Më shumë se 50 milionë njerëz kanë hedhur tashmë votat e tyre para kohe, ose me postë, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve dhe sondazhet tregojnë se gara do të jetë jashtëzakonisht e ngushtë.

Harris, 60-vjeçare, do të bëhej presidentja e parë grua, ndërsa Trump, 78 vjeç, do të bëhej kandidati më i moshuar që zgjidhet president. Të dy dallojnë në një sërë çështjesh, nga mbështetja për Ukrainën dhe aleancën ushtarake të NATO-s, deri te emigracioni, të drejtat e abortit dhe taksat mbi të pasurit.

Një sondazh nga Reuters/Ipsos më 29 tetor tregoi se epërsia e Harris kishte rënë në vetëm 44 për qind, krahasuar me 43 për qind për Trump ndër votuesit e regjistruar.

Advertisement

Trump ka lënë të kuptohet vazhdimisht se mund përsëri të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve, nëse humb.

Këto komente, të kombinuara me dy përpjekje për atentat ndaj ish-presidentit, kanë ngritur shqetësime për dhunë të mundshme dhe kaos pas zgjedhjeve./ rel

Lajme nga bota

Ari në nivelin më të ulët, dollari qëndron i fortë

Published

on

Çmimi i arit (XAU/USD) vazhdon prirjen rënëse për ditën e dytë me radhë të mërkurën dhe tregtohet pranë nivelit prej 3,285 dollarësh, ose në nivelin më të ulët të më shumë se një jave gjatë gjysmës së parë të sesionit evropian, sipas FX Street.

Dollari amerikan (USD) qëndron i fortë pranë kulmit të dy javëve në mesin e pritjeve se Rezerva Federale (Fed) do të mbajë normat e interesit të larta, për shkak të inflacionit që pritet të përkeqësohet si rezultat i taksave më të larta doganore dhe tregut të qëndrueshëm të punës në SHBA. Kjo gjendje mbështet nivelet e larta të fitimit të obligacioneve të thesarit amerikan dhe ushtron presion mbi metalin e verdhë që nuk sjell të ardhura.

Përveç kësaj, një performancë e qëndrueshme në tregjet evropiane të aksioneve përbën një faktor shtesë që rrit presionin mbi çmimin e arit si strehë e sigurt. Megjithatë, shqetësimet për pasojat e mundshme ekonomike nga tarifat tregtare të presidentit amerikan Donald Trump i mbajnë investitorët të kujdesshëm, çka mund të ndihmojë në kufizimin e humbjeve për çiftin XAU/USD. Tregtarët mund të presin gjithashtu publikimin e Procesverbalit të mbledhjes së FOMC, që mund të japë sinjale mbi rrugën e mundshme të uljes së normave të interesit nga Fed dhe të ofrojë një shtysë të rëndësishme për metalin e çmuar.

Continue Reading

Lajme nga bota

Kryeministri britanik: I bëjmë thirrje Iranit dhe Izraelit të respektojnë armëpushimin

Published

on

Mbretëria e Bashkuar i bën thirrje Iranit dhe Izraelit të “respektojnë armëpushimin”, tha kryeministri i këtij vendi Keir Starmer.

Në një deklaratë për parlamentin, kryeministri, i cili u kthye nga samiti i NATO-s në Hagë gjatë natës, tha se për dekada ka qenë politikë e deklaruar e Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj, që “Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore”

“Askush që interesohet për sigurinë e vendit tonë ose të ardhmen e Lindjes së Mesme, nuk mund të jetojë me këtë mundësi”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Starmer theksoi të shtunën se SHBA-të ndërmorën një “hap të madh drejt zgjidhjes së këtij kërcënimi”.

“Tani ka një dritare për paqe. Ne i bëjmë thirrje Iranit dhe Izraelit të respektojnë armëpushimin dhe të përdorin këtë mundësi për të stabilizuar rajonin”, tha ai.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga bota

Zelensky nënshkruan marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e tribunalit për krime lufte

Published

on

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi të mërkurën vonë një marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali të posaçëm që do të gjykonte zyrtarë të lartë përgjegjës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Tribunali do t’i ndjekë penalisht “krimet e agresionit” në lidhje me pushtimin dhe mund të gjykojë politikanë të lartë rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin.

“Çdo kriminel lufte duhet ta dijë se do të ketë drejtësi dhe kjo vlen edhe për Rusinë”, tha Zelensky pas nënshkrimit të marrëveshjes në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.

“Do të nevojitet guxim i madh politik dhe ligjor për t’u siguruar se çdo kriminel rus i luftës do të përballet me drejtësinë, përfshirë Putinin”, tha Zelensky në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Duhet ta dërgojmë një mesazh të qartë: agresioni çon në ndëshkim. Dhe, këtë duhet ta bëjmë së bashku, si Evropë”, shtoi ai më vonë në X.

Advertisement

Mandati i tribunalit do të jetë ndjekja penale e drejtuesve të lartë politikë dhe ushtarakë për krimin e agresionit kundër Ukrainës, tha Këshilli i Evropës.

“Kjo vepër penale i referohet vendimit për të përdorur forcën e armatosur kundër një shteti tjetër duke e shkelur Kartën e OKB-së”, tha këshilli.

Shtetas të Bjellorusisë apo Koresë së Veriut mund të ndiqen gjithashtu penalisht nëse provohet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në krimin e agresionit kundër Ukrainës, shtoi ai.

Berset theksoi se e drejta ndërkombëtare “duhet të zbatohet për të gjithë, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta”.

Ai tha se Këshilli i Evropës shpreson se tribunali do ta nisë punën vitin e ardhshëm. Nuk është vendosur ende se ku do ta ketë selinë tribunali.

Advertisement

Kjo është hera e parë që një tribunal i tillë themelohet nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, organit më të lartë për të drejtat e njeriut në kontinent.

Këshilli i Evropës, me 46 anëtarë, nuk është pjesë e BE-së, dhe përfshin shtete evropiane të rëndësishme jashtë BE-së si, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina./ REL

Continue Reading

Më të lexuarat