Ministri i Mjedisit dhe zv. kryeministri i parë, Izet Mexhiti, thotë se problemi me ajrin e ndotur është kompleks, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse dikasteri dhe qeveria kanë masa konkrete që këtë dimër të kemi më pak ajër të ndotur.
“Një çështje komplekse dhe një gamë komplekse aktivitetesh, të cilat nuk mund të zgjidhen brenda natës. Është mirë që trendi po përmirësohet. Periudha (e ajrit të ndotur) po shkurtohet, por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Ne po punojmë intensivisht dhe çdo ditë për ta zgjidhur atë në mënyrë të besueshme.
Po planifikojmë më shumë masa, duke filluar në bashkëpunim me pushtetin vendor. 40% e projekteve janë të fokusuara në fushën e ekologjisë. Në periudhën në vijim do t’ju informojmë çdo javë me veprimet konkrete që do të ndërmarrim”, tha Mexhiti.
Qytetet në Maqedoni janë ndër “rekordmenët botërorë” për ajrin e ndotur pothuajse çdo dimër. Të dhënat në ueb-faqen e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dje kanë treguar se dy ditë më parë në 12 pika matëse në vend është tejkaluar përqendrimi mesatar ditor dhe vlera kufitare e grimcave PM10.