Pas më shumë se dy vjet ngecje, për shkak të shpronësimit të tokave, rinisën sot punimet për ndërtimin e autostradës Gostivar – Bukojçan, pjesë e projektit Korridori 8 të cilën e ndërton konzorciumi Behtel&Enka, shkruan Alsat.
“Për herë të parë pas 50 vitesh këtu fillojnë punime reale, që do të thotë se për rrugëtimin nga kryeqyteti për në Ohër e Strugë do arrihet për një orë e njëzet minuta apo tridhjetë, që do e ndryshojë krejtësisht funksionimin e ekonomisë dhe turizmit dhe do e përshpejtoj rritjen ekonomike”, tha Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.
Kryeministri Mickoski paralajmëroi përfundimin e punimeve në afat prej katër vitesh.
“Këto bisedime bashkë me konzorciumin Bektel kanë filluar gjatë vizitës sime në Uashington në Samitin e NATOS, dhe vazhduan këtu, dhe ja, e shihni se kur ka dialog, kur bisedohet për të mund e3dhe të ketë përparim. Këtë përparim gjithë ne mund ta shohim, dhe unë jam krenar që sot jemi këtu dhe që në periudhën e ardhshme do kemi shumë lajme të mira për banorët e vendit”, theksoi Mickoski.
Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti tha se me fillimin e punimeve në teren, tema e Korridorit 8 po mbyllet dhe e njëjta më nuk është temë politike, por temë ekonomike e rëndësishme për vendin.
“Unë mendoj se sot mbyllet tema e korridorit të 8 si temë politike. Korridori i 8 është prioritet mbi prioritete për zhvillimin e vendit për zhvillimin ekonomik, dhe aspak nuk kam dilemë se me Bektel Enka në javët që vijnë do jemi dëshmitarë të realizimit të projektit”, tha Mexhiti.
Në këtë eveniment mori pjesë edhe ambasadorja e Amerikës Angela Ageler e cila u shpreh se nisja e punimeve është një sinjal i qartë dhe i dukshëm i partneritet mes Maqedonisë e SHBA-së
“Nuk ka demonstrim më të dukshëm, për partneritetin mes SHBA-ve dhe RMV-së, se sa kjo që shohim këta shtylla që është një gjë që shihet mbi tokë dhe dëshmon për këtë projekt. Ka qenë një goxha rrugëtim por është bërë shumë punë, dhe unë dua të falënderoj Qeverinë për qasjen e tyre për ta vazhduar këtë, sepse siç u tha, kjo është një beneficion për qytetarët, dhe do ndihmoj për investimet e reja dhe tregtinë. Kompanitë e mëdha kur të shohin realizimin e një projekti të këtillë, do të jetë një dëshmi që atyre i duhet për të pasur kuptim investimi në këtë shtet”, tha ambasadorja e SHBA-së Ageler.
Drejtori i Ndërmarrjes “Rrugët Shtetërore” Koce Trajanovski tha se deri tani ka përfunduar gjysma e procedurës së shpronësimit të pronave ndërsa shtoi se deri në fund të vitit do të përfundojë plotësisht ky proces duke i mundësuar “Behtel&Enkas” të punojë pa probleme në teren./ Alsat.mk