Site icon Tetova Expres

Ngrohja me dru më e volitshme për qytetarët

Në prag të dimrit, pjesa më e madhe e dibranëve kanë siguruar drutë dhe peletat për ngrohje të shtëpive të tyre. Një pjesë më e vogël edhe gjatë këtij dimri do të ngrohen me rrymë elektrike. Edhe pse ka një rritje të numrit të familjeve të cilët janë furnizuar me peleta, përsëri edhe këtë dimër dominant është druri për ngrohjen e shtëpive, thonë burime të ndërmarrjes shtetërore “Pyjet e Maqedonisë”, njësia në Dibër. Jozyrtarisht merret vesh se në Dibër nuk kanë siguruar dru dhe peleta një numër i theksuar i familjeve me probleme sociale.

Sipas të dhënave të njësisë “Stogova” pranë Ndërmarrjes shtetërore “Pyjet e Maqedonisë”, deri tani janë shpërndarë mbi 6500 metër kub druri për konsumatorët. Burimi i njëjtë potencon se Plani vjetor ka qenë 11 mijë metër kubik, por ai është realizuar 60 për qind. Këtu duhet potencuar edhe faktin se nga pyjet private janë shpërnda mbi 1 mijë metër kub dru, thotë drejtori i ri i njësisë në Dibër Marjan Partalovski. Ai shton se çmimi i drurit për metër kub edhe më tej është 2.850 denarë. Problemi kryesor në lidhje me eksploatimin e drurit në lokalitetet, Manastirec, Banjisht – Kosovrast, Modriç –Stogovë dhe Jamë – Melniçan është sigurimi krahut të punës, prandaj janë siguruar edhe punëtorë nga Shqipëria. Dibrani 74 vjeçar Besim A. informoi se për këtë dimër ka siguruar 12 kubikë dru. Sipas tij kjo sasi e druve të blerë nga njësia e “Stogovës” do të jetë e mjaftueshme për një dimër të ngrohtë. “Jemi një familje 6 anëtarëshe dhe kjo sasi e drurit mjafton”, thotë ai.

Në rrjetin tregtar në Dibër informojnë se ka një rritje të interesit tek dibranët për të siguruar peleta. “Në krahasim me një vjet më parë rritja e shitjes të peletave në prag të dimrit në kompaninë tonë tregtare është 15 për qind më shumë. Konsumatorët që i takuam thonë se këtë dimër ata do të ngrohen me peleta. Në shitoret e peletave potencojnë se kërkesat janë më të mëdha. Interesi për blerjen e peletave është jo vetëm në Dibër por edhe në komunat fqinje Qendër Zhupë dhe Mavrovë – Rostush. Në një nga kompanitë tregtare në Dibër takuam Ramazan M. Ai për gazetën KOHA thotë se nga ky vit ka vendosur që shtëpinë e tij ta ngrohë gjatë dimrit me peleta. “Mendoj se çmimi i peletave është më i volitshëm, në krahasim me çmimin e drurit. Para një muaj bleva edhe një koftor që funksionon me peleta dhe pres një dimër të ngrohët në familjen time. Deri vitin e kaluar jam ngrohur me dru, por fëmijët e mi që tani janë të martuar preferojnë ngrohjen me peleta”, thotë bashkëbiseduesi jonë.

Vërehet se në qytet në krahasim me fshatrat ka një rritje të përdorimit të peletave për ngrohje, thonë tregtarët. Kur jemi tek mënyra e ngrohjes këtë dimër ka edhe familje që do të ngrohen me rrymë elektrike. Qeram N. thotë se mbi tre dekada ngrohet gjatë dimrit me rrymë elektrike. Më parë me termo e tani me kondicioner modern. “Çmimi është i lartë i rrymës por unë dhe bashkëshortja jemi në punë. Duam apo nuk duam ngrohjen e bëjmë me rrymë. Jemi familje katër antarëshe dhe kemi vendosur të vazhdojmë të përdorim rrymën për ngrohje”, thotë ai. Por, edhe këtë dimër ka gjasa pa ngrohje të mbeten disa familje dibrane të cilët kanë probleme ekstreme sociale. (koha.mk)

Exit mobile version