Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se kanë pranuar një denoncim nga një 80-vjeçar nga rrethina e Tetovës, i cili thotë se me prova të rreme dhe me ndihmën e një avokati, në vitin 2017 e kanë shpallur të vdekur. Sipas tij, me vendimin e gjykatës janë bërë manipulime me pronën e tij në Agjencinë e Kadastrës.
“Me datë 24.10.2024 në ora 15:20 në SPB-Tetovë, personi AI (80) nga rrethina e Tetovës ka raportuar se gjatë vitit 2017, pa praninë e tij, në Gjykatën Themelore Tetovë është miratuar aktgjykim me paraqitje të rreme të fakteve dhe provave. Sipas raportit, në gjykatë janë dorëzuar prova të rreme se ai ka vdekur, si dhe një avokat ka paraqitur dëshmi të rreme, duke thënë në mënyrë të falsifikuar se ai ishte përfaqësues i tij dhe përfaqësues i vajzës së tij. Sipas raportit, pas dhënies së aktgjykimit me prova të rreme N.Sh. nga i njëjti fshat aktgjykimin e ka dorëzuar në Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive-Tetovë dhe prona e tij është bartur në emër të personit N.Sh. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga SPB-Tetovë. /tv21.tv