Fëmijët ma rregulluan ditën që në mëngjes, teksa mora pjesë në bazarin vjeshtor të organizuar nga kopshti “Fidani”. Ishte një aktivitet i jashtëzakonshëm, ku fëmijët, të udhëhequr me dashuri dhe përkushtim nga mësimdhënëset, kishin përgatitur ushqime të ndryshme dhe me entuziazëm i ofronin ato prindërve dhe mysafirëve. Drejtoresha e kopshtit, Gezime Bakiu, së bashku me ekipin e saj, kishin bërë një punë të shkëlqyer për të organizuar këtë aktivitet të bukur dhe domethënës për të gjithë komunitetin.
Mësimdhënëset, me përkushtim maksimal, qëndronin pranë fëmijëve në çdo hap, duke i ndihmuar dhe mbështetur gjatë procesit të shitjes. Atmosfera festive dhe bashkëpunimi shembullor mes stafit dhe fëmijëve e bënë këtë ditë një sukses të vërtetë. Ky aktivitet jo vetëm që pasuroi aftësitë sociale dhe praktike të fëmijëve, por kontribuoi edhe në forcimin e lidhjeve të komunitetit tonë, duke inkurajuar të gjithë të ndihen krenarë për angazhimin dhe punën e bërë./TV KOHA/