Site icon Tetova Expres

Qeveria po planifikon fluturime ndërkontinentale nga aeroporti i Shkupit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon që në të ardhmen, të prezantojë fluturime ndërkontinentale nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit njoftoi portali exyuaviation.com. Siç shkruan në njoftimin e tyre, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski, ka thënë se tashmë kanë filluar të punojnë në të dhe se është i vetëdijshëm se është një ambicie e madhe, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria ka plane për organizimin e fluturimeve ndërkontinentale nga aeroporti i Shkupit, që do të jetë rast unik jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin. Tashmë kemi filluar punën për të dhe besoj se është një ambicie e madhe, por do të përfitojmë shumë prej saj. Kjo do të jetë e një rëndësie të madhe për të gjithë vendin sepse kemi një diasporë të madhe që dëshiron të fluturojë pa ndalesë nga Shkupi, por do të ndihmojë edhe në tërheqjen e turistëve jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon”, tha Nikollovski.

Ai nuk specifikoi se si do të vendosen fluturime të gjata nga Shkupi. Në vitin 2017, qeveria e atëhershme e RMV-së ka diskutuar për futjen e fluturimeve nga Shkupi për në SHBA dhe Kanada me drejtorin ekzekutiv të Turkish Airlines, Bilal Eksi. Maqedonia dhe Turqia kanë një marrëveshje qielli të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë që lejon një linjë ajrore turke të fluturojë në këto destinacione. Por, që Shkupi të sigurojë fluturime për në SHBA, do të duhet t’i nënshtrohet një auditimi nga autoritetet amerikane.

Përveç kësaj, është e paqartë nëse aeroportet e vendit kanë kapacitet dhe përmbushin kushtet për fluturime transoqeanike.

Këtë deklaratë Nikolloski e bëri në konferencën vjetore të organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, e cila u mbajt këto ditë në Shkup.

Advertisement

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) vitin e kaluar e prezantoi para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut raportin e parë për zbatimin e Dialogut Strategjik RMV-ShBA. Në të ishin renditur informata për statusin e realizimit të aktiviteteve dhe projekteve të planifikuara në kuadër të Dialogut, që shumica e tyre janë në rrjedhë e sipër, ndërsa një pjesë e vogël e aktiviteteve ishin përfunduar.

Në fushën  “Tregti dhe investime” theksi ishte vendosur te krijimi i linjës direkte të fluturimit Shkup – Nju Jork, e cila siç thuhej, do të lehtësojë bashkëpunimin e përgjithshëm afarist dhe ekonomik.

Exit mobile version