Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësime për siç thonë, degradimin që po u bëhet shqiptarëve në institucionet e sigurisë, shkruan Alsat.
Nga BDI akuzojnë se në MPB por edhe në Armatë, po bëhet spastrim etnik dhe degradim i kuadrit shqiptar.
Përpos kësaj, pohojnë se ka presion të vazhdueshëm tek të punësuarit për të nënshkruar deklaratë që vullnetarisht t’i lëshojnë vendet udhëheqëse të punës.
“Gjatë kësaj periudhe, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ndodhi spastrim etnik dhe degradim i kuadrit shqiptar, siç ishte rasti me kryeshefin e kërkimeve në MPB, ndihmës ministrin për çështje administrative, ndihmës drejtorin në Departamentin për Policinë e uniformuar, kryeshefin e kërkimeve ndërkombëtare(Interpol), kryeshefin në Sektorin e Punëve të Brendshme në Strugë, kryeshefin e njësitit për tregti me armë, komandantin në Stacionin Policor në Gostivar, komandanti në Stacionin Policor në Bitpazar të Shkupit, por edhe një numër i konsiderueshëm i inspektorëve të lartë në Sektorin për krim të organizuar dhe krim-polici”, tha Valdet Xhaferi – BDI./ Alsat.mk