Furnizimi i qytetit të Tetovës me ujë të pijshëm vazhdon të jetë problematik edhe për administratën aktuale të komunës së Tetovës. Edhe pse në dukje të parë ndërtimi I ujësjellësit të Tetovës dhe sistemi I filtrimit u pa si zgjidhje I këtij problemi jetik për tetovarët, megjithatë edhe sot e kësaj dite, qytetarët e Tetovës vazhdojnë të përballen me mungesë të ujit. Turbullimi i ujit si pasojë e rreshjeve atmosferike, rrëshqitjet e dheut të cilët dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit, sistemi I vjetëruar I rrjetit të shpërndarjes, keqpërdorimet e ujit, janë probleme që e përcjellin furnizimin me ujë të pijshëm qytetin e Tetovës. Edhe administrata aktuale e komunës së Tetovës disa herë është marrë seriozisht me këtë problem, megjithatë në teren situata mbetet e njejtë sepse uji mungon në çezmat e tetovarëve. Problem në vete është edhe stacioni i filtrimit i cili del prej përdorimi kur uji vjen i turbullt dhe rrjedhimisht ndalet furnizimi me ujë të pijshëm. “Ka patur dëmtim të gypit kryesor dhe është sanuar dhe po punohet në vazhdimësi që ai të jetë funksional. Për momentin është një problem tjetër që kërkon zgjidhje afatgjate, sepse gjithmonë kur ka rreshje të shiut, uji turbullohet dhe filter stacioni del jashtë funksionit dhe pastaj duhet dy deri tre ditë që I njejti të pastrohet dhe të vihet në funksion. Këtyre ditëve menaxhmenti I Ndërmarrjes Publike komunale Sharri, ka rënë në komunikim me kompaninë që ka ndërtuar filter stacionin që të gjejmë një zgjidhje sa I përket momenteve kur ka reshje të shiut që filet stacioni të mos del prej funksionit por të ketë furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm”, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Sharri, thonë se në pranverë pritet që të fillojnë punët për servisimi i filtrave dhe me këtë pritet që të rritet sasia e furnizimit në ujësjellës. “Siç dihet në vitin 2016 kur është realizuar ky projekt, I njejti nuk është realizuar si duhet.Kemi aty gjashtë filtra të cilët kanë kapacitet që të sjellin 180 litra ujë në sekondë, ne kemi vetëm 5 funksional dhe ata nuk janë të servisuara dhe nuk mund të bëjnë pastrimin e plotë të ujit dhe për momentin na sjellin vetëm 100 litra ujë në sekondë. Fillimisht do të bëhet servisimi i filtrave dhe do të rritet kapaciteti i prurjes së ujit prej 100 litra në 180 litra ujë në sekondë”, deklaroi Valon Zeqiri, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Sharri.Në ndërkohë, derisa punohet që të gjendet zgjidhje për ujin e pijshë, problem janë edhe defektet që ndodhin në qytet në rrjetin e ujësjellësit. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Sharri njoftuan se sot gjatë kryerjes së punëve tjera, është dëmtuar gypi që furnizon dy lagje me ujë të pijshëm është dëmtuar.Ndërkaq, tashmë disa ditë është vendosur edhe regjimi i restrikcionit me ujë në Tetovë edhe atë, duke filluar nga ora 1 deri në ora 4 të mëmgjesit. TV KOHA