Bashkimi Europian i ka vendosur pengesa politike integrimit të Shqipërisë në
union. Ky ishte konstatimi që bëri kryeministri hungarez, Viktor Orban gjatë
deklaratës së përbashkët për mediat me Edi Ramën në përfundim të takimit zyrtar
që patën në Budapest.
‘Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme gjatë bisedimeve me Bashkimin
Europian në një proces që është bazuar tek merita. Shqipëria duhet të jetë pjesë e
Bashkimit Europian. Duhet të ishte pjesë tani! Por, fatkeqësisht ne po shikojmë
pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto lloj qasje’ tha Orban
Kryeministri Edi Rama falenderoi Orban për mbështetjen e vazhdueshme që ka
dhënë për Shqipërinë dhe rajonin në rrugën e integrimit, teksa kërkoi thellim të
bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomik. Rama ftoi sipërmarrësit hungarezë
që të investojnë në turizëm në Shqipëri.
“Biseduam se si mund të zgjerojmë bashkëpunimin tonë. Nënshkruam dy
marrëveshje mirëkuptimi në fushën e bujqësisë dhe për administratën publike.
Folëm për investimet dhe ne ndjehemi të inkurajuara nga fakti që kompani
hungareze po investojnë dhe numri i investimeve të drejtpërdrejta nga Hungaria
është i pazakontë. Diskutuam se si mund të arrijmë më shumë. Turizmi është një
fushë ku ne do të donim dhe mirëpresim investimet hungareze”, tha Rama.
Kjo ishte vizita e dytë zyrtare e Kryeministrit Edi Rama në Hungari. E para u
mbajt në qershor të vitit 2021, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjesh që kanë
fuqizuar praninë e investimeve hungareze në Shqipëri, sidomos në transportin ajror
dhe në sektorin bankar.