Site icon Tetova Expres

Psikologu Yll Avdijaj: TikToku nuk është për fëmijë

Psikologu Yll Avdijaj iu ka bërë thirrje prindërve që t’i kontrollojnë fëmijët e tyre gjatë përdorimit të internetit, duke shtuar se rrjeti social TikTok nuk është për fëmijë.

Ai ka thënë të mërkurën në emisionin “SOT” të KTV-së se fëmijët në ditët e sotme ndikohen nga rrjetet sociale pasi ekspozohen tërë kohën. Sipas tij, familjet e brishta me probleme brenda vetes “ndikojnë tek të rinjtë në aspektin emocional”.

“Në mjediset familjare ku nuk ka harmoni, fëmijët që përjetojnë një gjendje kaotike në familje ose probleme mes familjarëve, normalisht do të mbyllen në vete dhe do ta përjetojnë emocionalisht shumë keq…Prindërit duhet të jenë kujdestarët që i kontrollojnë fëmijët e tyre në një masë të caktuar se me çfarë lojërash apo rrjete sociale po merren. Sot është TikToku si më i famshmi që i ka disa rregulla që ‘s’është për fëmijët apo për mosha të reja’”, ka thënë Avdijaj, duke përmendur se kjo mund të çojë në vetëlëndimin e fëmijëve, duke marrë shembuj në internet.

Sipas tij, mungesa e dashurisë brenda familjes i nxit fëmijët të gjejnë veten në rrjetet sociale “ku gjejnë një ngushëllim ose përkatësi”. Ai është shprehur se në këtë gjendje emocionale, fëmijët mund të pranojnë gjithçka që ato grupe në internet kërkojnë.

Ndërsa njohësi i rrjeteve sociale nga Shkolla Digjitale, Ilir Kiçmari, ka deklaruar se nxënësit duhet të edukohen se çka mund të bëjnë në internet, pasi sipas tij, rrjetet sociale kanë moshë të caktuar të përdorimit. Ai bëri të ditur se duhet edhe prindërit të marrin informacione mbi rrjetet sociale dhe t’i monitorojnë fëmijët e tyre kur përdorin internetin.

Advertisement

“Në Shkollën Digjitale me nxënësit dhe prindërit tentojmë t’i edukojmë që të jenë të sigurt. Kemi njësi mësimi që quhen gjurmët digjitale që fëmijët i lënë në internet e përmes këtyre, duam t’i edukojmë. T’iu mësojmë çka të ndajnë me publikun, si t’i ndjekin rregullat e secilës lojë”, ka shtuar ai.

Psikologu ka shtuar se ka pasur raste që edhe pas moshës 18-vjeçare, njerëzit kanë kryer vetëlëndime si pasojë e ndikimit të rrjeteve sociale.

Një ditë më parë është raportuar për 13 nxënës të vetëlënduar me mjete të mprehta në Gjakovë, si pjesë e një fenomeni në rrjetin social TikTok.

Exit mobile version