Site icon Tetova Expres

BDI: Qeveria VMRO-VLEN e bllokon realizimin e projekteve infrastrukturore

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një konference për media ka shprehur shqetësimet lidhur me ngecjet e Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale në infrastrukturën rrugore gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së saj. “Korridori 8, projekti më i madh dhe më i rëndësishëm i shtetit që nga pavarësia, i cili lidh Maqedoninë e Veriut me Republikën e Shqipërisë dhe vendet e rajonit, është një nga arteriet kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal dhe evropian.
Për fat të keq, qeveria me legjitimitet monoetnik qëllimisht zvarrit procedurat e nevojshme për realizimin e këtij korridori evropian. Menjëherë pas ardhjes në pushtet zvogëluan mjetet buxhetore nga 15.1 mld denarë në 4 mld denarë”, u tha në reagimin e BDI-së.

Partia e Ahmetit akuzoi Qeverinë edhe për autostradën Shkup – Bllacë.

“Edhe pse punimet e dy kilometershit të parë kanë përfunduar , ende nuk janë lëshuar në përdorim këto dy kilometra të përfunduar të autostradës, ndërsa vonohet edhe zgjedhja e realizuesit të punimeve për ndërtimin e fazës së dytë prej 10 kilomentra të këtij aksi të rëndësishëm rrugor që lidh vendin tonë me Republikën e Kosovës.

Me qëllim të mos realizimit të këtij projekti, paralajmërojnë ndryshim të trases së përcaktuar në projektin bazë”, theksuan nga BDI.

Sipas kësaj partie opozitare, ngecje ka edhe në projektin për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren.

Advertisement

“Kanë ngecur të gjitha procedurat e filluara për realizimin e këtij projekti të miratuara nga qeveria e kaluar. Nga këtu, pyesim institucionet kompetente pse nuk fillojnë me procedurat për zgjedhjen e kompanisë projektuese për projektimin e tunelit të përbashkët Tetovë – Prizren me gjatësi 6.2 km, që parashihet në marrëveshjen e nënshkruar në mes dy vendeve në fillim të këtij viti. Të njejtat vonesa, obstruksione dhe përpjekje minuese zhvillohen edhe për hekurudhën e korridorit 8, portin e thatë në Strugë dhe projektet tjera në veriperendimin e vendit”, u tha mes tjerash në reagimin e BDI-së.

Exit mobile version