Site icon Tetova Expres

13 nxënëse në Gjakovë vetëlëndohen për sfidë në TikTok

13 nxënëse të shkollës fillore kanë marrë trajtim mjekësor në Gjakovë pasi janë vetëlënduar me mjet të mprehtë. Rasti u bë i ditur të shtunën.

Drejtoresha e Arsimit në Komunë të Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi, ka deklaruar për KOHËN se po e pret raportin zyrtar të Policisë nesër. Por jozyrtarisht i është thënë se numri i nxënësve të lënduara si pasojë e sfidës në TikTok të quajtur “self-harming” ka shkuar në 13 – pasi fillimisht u raportua për tre.

Policia e Kosovës e ka iniciuar rastin si “shtytje në vetëvrasje”.

Kumnova-Baçi më herët në një deklaratë për KOHËN rrëfeu se për njërin prej rasteve është njoftuar nga një prind i së miturës, e më pas ka njoftuar autoritetet policore.

Drejtoresha ka thënë se për këtë çështje ka thirrur edhe mbledhje urgjente me shkollat.

Advertisement

“Të premten (4 tetor) kam marrë një informatë jozyrtare nga një prind për një nxënëse të mitur të lënduar në dorë. Dy raste kanë ndodhur në një shkollë, e një në një shkollë tjetër. Këto lëndime po quhen si pjesë e një sfidë në internet ‘self-harming’ ku nxënëset kanë përdorur makinën e mprehjes së lapsave dhe kanë lënduar veten në duar. Vajzat kanë pasur lëndime”, pati deklaruar Kumnova për KOHËN.

Ajo tha se i ka njoftuar drejtorët e shkollave dhe janë marrë masa që të kontrollohen nxënëset, derisa ka shtuar se ka marrë vendim që të ndalohet përdorimi i telefonave.

Qeveria e Kosovës në qershor të këtij viti mori vendim ta ndalojë TikTokun nëpër institucione publike. Është bërë thirrje që për këtë rrjet social të rritet mosha e përdorimit nga 13 në 16 vjeç.

Muaj më herët rast të ngjashëm pati edhe në një shkollë të Fushë-Kosovës.

Advertisement
Exit mobile version