“Është mirë që shteti ka pasur një Strategji për parandalimin e ikjes së trurit, por fatkeqësisht nuk ka arritur efektin që ishte parashikuar gjatë krijimit të saj. Ne nuk do të kthejmë kokën pas dhe të kërkojmë fajtorë. Si Qeveri e re, përmes një qasjeje shumë-departamentale, do të fokusohemi në krijimin e masave dhe aktiviteteve të reja që do të reduktojnë largimin e personelit të kualifikuar dhe me arsim të lartë”.
Kështu theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në seancën e sotme të Komisionit Parlamentar për Çështje Ekonomike, Punë dhe Energjetikë, ku u diskutua për raportin e Entit Shtetëror për Revizion lidhur me efektivitetin e masave për të parandaluar daljen e kuadrove me arsim të lartë dhe profesional.
“Kemi nevojë për një sistem arsimor cilësor dhe për këtë, tashmë po flasim me universitetet për ndryshime që do të nënkuptojnë ndër të tjera edhe modernizimin e programeve të studimit, në mënyrë që ato të jenë interesante për të rinjtë.
Gjithashtu, arsimi duhet të jetë në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe për këtë ne do të rishikojmë kuotat e regjistrimit në fakultete, duke u bazuar në një analizë reale të gjendjes në shoqëri dhe duke përcaktuar se çfarë na mungon”, tha Janevska.