Kanceri i gjirit gjithnjë e më shumë është prezent tek gratë. Krahas kësaj, ajo që është më shqetësuese sipas mjekëve është spostimi i pragut të moshës. Nëse në të kaluarën mosha më e prekur ka qenë ajo 60 vjeçare e më lartë, tashmë kjo sëmundje paraqitet edhe tek moshat më të reja .Kështu thotë Vjollca Skenderi, onkologe në Spitalin Klinik të Tetovës. “Tani për fat të keq kemi edhe paciente që janë në moshën më të re, pra bie kufiri dhe ne nuk i jemi shmangur trendit botëror të rritjes së kancerit të gjirit. Rritje të numrit ka, por në këtë kohë edhe kushtet janë më të mira për trajtimin e kësaj sëmundje. Për sa i përket numrit të grave që diagnostifikohen me kancerin e gjirit nuk mund ta them sepse regjistrimi për këtë lloj sëmundje në vendin tonë nuk funksionon ashtu si duhet. Nga eksperienca gjatë vitit, mund të them se 50 deri 60 gra brenda vitit sëmuren nga kanceri i gjirit në rajonin tonë”, thotë Vjollca Skenderi, onkologe.
Sipas saj, shkaqet për përhapjen e kancerit të gjirit ndikojnë më shumë faktorë, duke përfshirë gjenetikën brenda organizmit, poashtu ndikon përdorimi i terapisë hormonale, kur e ka pasur menopauzën, ndotja e ajrit, stresi e kështu me radhë. Edhe pse metodat e diagnostifikimit kanë avancuar, kjo nuk do të të thotë se në të kaluarën ka pasur më pak raste, pasi që sipas mjekëve është evidente se kjo sëmundje tani më shënon rritje nga viti në vit. Por sa është punuar në rritjen e vetëdijes tek gratë. Sipas mjekëve, gratë duhet që të bëjnë mamografi pavarësisht se kanë apo jo simptoma, edhe atë duke filluar nga mosha 30 vjeçare e tutje.
“Është punuar në ngritjen e vetëdijes së grave për sa i përket sëmundjes së kancerit të gjirit, por jo aq sa duhet, si shtet flas, tek ne ka pacientë që paraqiten dhe e gjejmë sëmundjen në fazë të hershme, por 70 për qind kur vijnë tek ne, sëmundjen e gjejmë në fazë më të avancuar dhe problemi është se duhet që të investohet në ngritjen e vetëdijes për të bërë kontrolle, pra gratë të bëjnë kontrolle edhe kur nuk kanë shenja ose simptoma. Njëherë në vit ata duhet që të ndajnë 20 minuta për të bërë kontrolle dhe nëse diagnostifikohet herë ajo më lehtë shërohet”, deklaroi Vjollca Skenderi, onkologe.
Nga Reparti i onkologjisë apelojnë që në të ardhmen të organizohen kontrolle edhe nëpër vendbanime rurale sepse ka shumë gra të moshuara të cilët e kanë të pamundur që të vijnë deri në qytet për të bërë kontrolle prandaj duhet që të aplikohet edhe mamografia mobile./TV KOHA /