Pas një dekade robëri, një 21 vjeçare irakiane e pakicës jazidi është gjetur dhe liruar në Gaza. Favzia Amin Sido u rrëmbye në vitin 2013 në vendlindjen e saj, në veri të Irakut kur zona u pushtua nga Shteti Islamik, ISIS. Prej vitesh familjarët nuk ishin në dijeni të fatit të saj, deri kur pas nisjes së sulmeve të Izraelit në Gaza, 21-vjeçarja i kontakton duke i njoftuar se ndodhej në një kamp refugjatësh në Gaza. Këtu kanë nisur përpjekjet e autoriteteve irakiene, me ndihmën edhe të Ambasadës Amerikane në Izrael dhe ushtrisë izraelite për lirimin e saj. Pas përfundimit me sukses të misionit, 21-vjeçarja u ribashkua me familjarët e saj në veri të Irakut, teksa rrëfeu se deri në janar është mbajtur peng nga një luftëtar i ISIS-it, që me gjasë ka humbur jetën gjatë bombardimeve të Izraelit mbi Gaza. Nga 2012 deri në vitin 2018, ISIS ndërmori krime çnjerëzore ndaj civilëve në Irak dhe Siri. Tërbimin e ekstremistëve e pësuan më shumë pakicat fetare në këto dy vende. Një
prej tyre edhe komuniteti jazidi në Irak, ku të dhënat jozyrtare tregojnë se janë vrarë mbi 5 mijë vetë dhe gati 10 mijë vajza dhe gra u morën peng si skllave seksi të xhihadistëve.