Site icon Tetova Expres

Dhjetëra gra e vajza nga Komuna e Prizrenit po aftësohen në artizanate të ndryshme

Dhjetëra gra e vajza po aftësohen në artizanate të ndryshme në kuadër të kurseve që organizohen nga Komuna e Prizrenit, në saje të bashkëpunimit me Komunën e Konyas nga Turqia.

Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Ramadan Tarashaj gjatë hapjes së edicionit të sivjetmë të trajnimeve ka theksuar se kurset për aftësim në zanate dhe punime të dorës ofrojnë mundësi të reja për vetëpunësim për gratë dhe vajzat e Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.

“Kurset përfshijnë fusha të ndryshme si: dizajn për veshje (modë), mefrushat, djegie në dru, reliev në letër, dizajnimi i bizhuterive dhe qëndisje në fjongo”, ka thënë Tarashaj.

Njëra prej pjesëmarrësve të këtyre kurseve, Aida Dauti ka bërë të ditur se ka marrë pjesë edhe herën e kaluar në kursin e djegies në dru dhe të relievit në letër.

“Është një kurs relaksues, shumë i  mirë dhe mund të them që ka edhe përfitime. Jam e lumtur që më është dhënë rasti të përfitoj edhe më shumë dije”, ka thënë ajo.

Advertisement

Ndërkaq pjesëmarrësja tjetër, Florije Krasniqi ka pohuar se ka ardhur që ta përvetësojë pirografinë.

“Gratë që kërkojnë një lloj qetësie të brendshme mund të merren me këto punime, për arsye se i relakson”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa trajnerja për dizajnimin e bizhuterive dhe qëndisjes në fjongo, Shpresa Makasqi ka theksuar se interesimi i grave për këto kurse tremujore po shtohet prej vitit në vit.

“Të gjitha zejet janë të veçanta, interesimi është shumë i madh. Për cdo kurs të radhës po shtohet interesimi”, ka thënë ajo.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga trajnerja e dizajnit të modës, Hykmete Celina.

Advertisement

Sipas njoftimit të zyrtarëve komunalë, ky projekt mbështetet nga Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Konyas, me ç‘rast parashihet aftësimi i 60 pjesëmarrëseve, të cilat do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të reja për artizanatet tradicionale dhe moderne, duke krijuar mundësi për vetëpunësim dhe përfshirje në tregun e punës.

Exit mobile version