Lajme nga rajoni
Dhjetëra gra e vajza nga Komuna e Prizrenit po aftësohen në artizanate të ndryshme
Dhjetëra gra e vajza po aftësohen në artizanate të ndryshme në kuadër të kurseve që organizohen nga Komuna e Prizrenit, në saje të bashkëpunimit me Komunën e Konyas nga Turqia.
Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Ramadan Tarashaj gjatë hapjes së edicionit të sivjetmë të trajnimeve ka theksuar se kurset për aftësim në zanate dhe punime të dorës ofrojnë mundësi të reja për vetëpunësim për gratë dhe vajzat e Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.
“Kurset përfshijnë fusha të ndryshme si: dizajn për veshje (modë), mefrushat, djegie në dru, reliev në letër, dizajnimi i bizhuterive dhe qëndisje në fjongo”, ka thënë Tarashaj.
Njëra prej pjesëmarrësve të këtyre kurseve, Aida Dauti ka bërë të ditur se ka marrë pjesë edhe herën e kaluar në kursin e djegies në dru dhe të relievit në letër.
“Është një kurs relaksues, shumë i mirë dhe mund të them që ka edhe përfitime. Jam e lumtur që më është dhënë rasti të përfitoj edhe më shumë dije”, ka thënë ajo.
Ndërkaq pjesëmarrësja tjetër, Florije Krasniqi ka pohuar se ka ardhur që ta përvetësojë pirografinë.
“Gratë që kërkojnë një lloj qetësie të brendshme mund të merren me këto punime, për arsye se i relakson”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa trajnerja për dizajnimin e bizhuterive dhe qëndisjes në fjongo, Shpresa Makasqi ka theksuar se interesimi i grave për këto kurse tremujore po shtohet prej vitit në vit.
“Të gjitha zejet janë të veçanta, interesimi është shumë i madh. Për cdo kurs të radhës po shtohet interesimi”, ka thënë ajo.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga trajnerja e dizajnit të modës, Hykmete Celina.
Sipas njoftimit të zyrtarëve komunalë, ky projekt mbështetet nga Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Konyas, me ç‘rast parashihet aftësimi i 60 pjesëmarrëseve, të cilat do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të reja për artizanatet tradicionale dhe moderne, duke krijuar mundësi për vetëpunësim dhe përfshirje në tregun e punës.
Lajme nga rajoni
Tri të mitura në Kosovë vetëlëndohen në duar, dyshohet se u nxitën nga Tik-Toku
Policia e Kosovës po e heton një rast “shtytje në vetëvrasje” pasi tri nxënëse në Gjakovë të hënën kanë lënduar veten në duar.
Të miturat janë dërguar për trajtim mjekësor, derisa rastin e ka dërguar në Polici Drejtoria Komunale e Arsimit. Autoritetet policore thanë për KOHËN se dyshohet se kjo ka ndodhur si pjesë e një fenomeni në TikTok.
“Drejtoresha e DKA-së ka njoftuar se tri nxënëse janë viktima të fenomenit të vet–lëndimit. Tri viktimat femra kosovare të mitura, janë dërguar në tretman mjekësor. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.
Lajme nga rajoni
Greqia i vendos 3.1 milionë euro gjobë restorantit të VIP-ave në Mykonos
“Nammos”, një nga restorantet më të njohura të ishullit idilik grek, Mykonos, është gjobitur nga autoritetet helene me 3.1 milionë euro, për shkak të shkeljeve të shumta tatimore dhe evazionit fiskal.
Vetëm për vitin 2018-2019, shuma e evazionit fiskal në restorantin e ndodhur në Mykonos, i cili menaxhohet nga Zannis Francescos dhe Sami Ibrahim, është 1.562.529.81 euro dhe së bashku me gjobën dhe shtesat arrin në 3.119.434.51 euro në total.
Gjoba iu komunikua dy prej tre themeluesve të restorantit të famshëm mikonian që drejtojnë biznesin. Kontrolli do të vazhdojë edhe për vitet e ardhshme financiare, ndërkohë që sipas informacioneve, përveç evazionit fiskal dhe shmangies së tatimeve të zbuluara nga kontrolli i AADE-së, ka edhe ankesa të shumta nga punonjësit e “Nammos” në Mykonos për trajtimin e tyre.
Borxhet dhe statusi
Sipas kontrollit të kryer nga një ekip i AADE-së, vetëm për vitin 2018-2019 kompania përgjegjëse për restorant Nammos që ndodhet buzë detit nuk ka paguar TVSH, FMY (Taksa e Shërbimeve të Punësimit), pullat dhe tatimin mbi të ardhurat.
Më konkretisht, shuma e TVSH-së arrin në 47,993.12 euro, pra është pak më e ulët se ajo prej 100,000 euro ose më shumë që sjell ndjekje penale për veprën konkrete të mospagesës së taksës specifike. Dy ortakët menaxhues gjithashtu nuk i kanë kthyer shtetit TVSH-në prej 129,150 euro dhe 21,027,78 euro si dhe dy pulla përkatësisht 110,043,20 dhe 382,707,29 euro.
Së fundmi, tatimi mbi të ardhurat prej 871,608,42 euro nuk është paguar, ku totali i borxheve ka arritur në 1,562,529,81, ndërsa llogaritari i “Nammos”,Chrysostomos Koukovinos, me gjasë nuk ka pasur përgjigje bindëse gjatë kontrollit.
Pavarësisht evazionit fiskal të zbuluar nga auditorët, të dy partnerët vazhdojnë të bëjnë një jetë luksoze jashtë kufijve grekë me Zanni Francesco që është vendosur p në Monako dhe Sami Ibrahimin në Dubai. Dy partnerët bashkë-menaxherë janë të përfshirë në regjimin specifik të menaxhimit të ‘Nammos’ duke krijuar një labirint prej të paktën 58 kompanish IKE, tek të cilat dyshohet se transferojnë detyrimet e tyre financiare dhe nxjerrin likuiditet për nevojat e tyre personale. (A2 Televizion)
Lajme nga rajoni
I jep fund jetës astrologu i njohur shqiptar, ishte i pranishëm shpesh në emisionet televizive
Detaje të reja janë bërë me dije nga ngjarja e rëndë në Korçë, ku një 45-vjeçar i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i pestë i pallatit ku jetonte.
Bëhet fjalë për Jofiel Koço, i cili është i njohur publikisht si astrolog.
U raportua se 45-vjeçari u ngjit në tarracën e pallatit ku banonte i vetëm dhe prej andej u hodh, duke rënë fillimisht mbi çatinë e një ndërtese fqinje dhe më pas në asfalt, ku humbi jetën në vend.
Koço, përveç se kishte një aktivitet të vogël tregtar me vajra automjetesh dhe produkte të tjera që shpërndante në dyqanet e qytetit, njihej edhe si astrolog. Ai ishte shpesh i pranishëm në emisione televizive ku interpretonte yjet.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve