Site icon Tetova Expres

Do të sanksionohen kyçjet ilegale në ujësjellës!

Kyçjet ilegale në sistemin e ujësjellësit vazhdojnë të jenë një dukuri e zakonshme në Tetovë dhe jo vetëm. Brenda një muaji, ka nga dy ose tre raste të kësaj natyre që evidentohen nga Ndërmarrja Publike Komunale Sharri në Tetovë. Këto raste Ndërmarrja Publike Komunale Sharri së fundmi I ka denoncuar edhe publikisht. Kësisoj, Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri”-Tetovë pas vërejtjeve të dërguara për keqpërdorim të ujit përsëri ka hasur në qytetar të pandërgjegjshëm të cilët keqpërdorin ujin për pije, prandaj bëhet e ditur se së bashku me inspektoratin komunal ka filluar me shqiptimin e dënimeve. “Muajin e fundit janë regjistruar tre ose katër raste të kyçjeve ilegale. Për këto raste janë shqiptuar dënime, por apelojmë tek qytetarët që kyçjen në ujësjellës ta bëjnë në mënyrë legale sepse çmimi është i njëjtë, pra nuk ka ndonjë dallim nga kyçja legale apo vet qytetarët që angazhojnë persona për të bërë kyçje ilegale”, deklaroi Valon Zeqiri, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale Sharri në Tetovë.

Kyçjet ilegale në masë të madhe e dëmtojnë furnizimin me ujë të pijshëm qytetin e Tetovës, prandaj nga komuna paralajmërojnë se nuk do të ketë tolerime. Në shumë lagje të Tetovës apo në rrugë kryesore ka shumë defektet në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës, dhe tashmë këto defekte janë shpeshtuar. Për pasojë ka ndërprerje të shpeshta të furnizimit me ujë në shumë lagje të Tetovës.

“Dëmet janë të mëdha, sepse ka kompani private të cilët I kryejnë këto kyçje, nuk kanë njohuri për tërë rrjetin e ujësjellësit apo edhe të kanalizimit dhe gjatë kryerjes së punëve ata shkaktojnë dëme në këtë rrjet dhe kjo reflektohet edhe me mungesë të ujit të pijshëm por edhe harxhime shtesë për vet ndërmarrjen e cila duhet të bëjë sanimin e problemit”, deklaroi Zeqiri.

Këto kyçje zakonisht këta raste ndodhin gjatë ndërtimeve të objekteve të ndryshme apo lokaleve, por edhe pallateve, por deri më tash nuk ka informacione se është iniciuar ndonjë padi penale, sepse kyçjet ilegale zakonisht dëmtojnë edhe rrjetin e ujësjellësit edhe infrastrukturën rrugore. Qyteti i Tetovës ka një rrjet të vjetruar të ujësjellësit kryesor më shumë se gjysmë shekulli, dhe defektet në pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës janë të përditshme në të gjitha periudhat e vitit. Sipas deklaratave të deritanishme, një nga shkaktarët përveç vjetërsisë së gypave është se sistemi aktual është projektuar për një numër të caktuar të popullsisë në kohët e mëhershme, kurse që nga vitet e 90-ta e këndej qyteti i Tetovës është shtuar dukshëm për nga numri i banorëve si pasojë e shpërnguljeve nga fshatrat e Malësisë së Sharrit për në qytet prandaj ka edhe shumë kyçje ilegale në këtë rrjet.

Exit mobile version