Site icon Tetova Expres

Parkime vend e pavend!

Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bashkë me kryeshefin e SPB-Tetovë, dhe drejtorin e parkingjeve, kanë inspektuar bulevardet e qytetit, që sipas Kasamit shumë qytetarë parkojnë veturat e tyre para kontejnerëve dhe në vendin për transportin urban. Kasami kërkoi bashkëpunim me qytetarët dhe kërkoi që veturat mos parkohen ne vende të ndaluara për parkim. “Si rezultat i mos përgjegjësisë së tyre ndodhë që në momente të caktuara, kamionët e ndërmarrjes për menaxhim me mbeturina ndodhë mos ketë qasje deri tek kontejnerët. Për shkak të parkingjeve të papërgjegjshme autobusët urban nuk mund të ndalen në rrugë dhe të bllokojnë komunikacionin. I lus bashkëqytetarët e mi të Tetovës dhe ato që vizitojnë Tetovën të kenë kujdes ku parkohen e mos parkohen në këto lokacione të destinuara për shërbimet e ndërmarrjeve komunale’, deklaroi kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

I pyetur se edhe gjatë verës kishte aksion për pastrimin e bulevardeve nga veturat e parkuara keq, Kasami kërkoi nga SPB-Tetovë dhe Ndërmarrja e Parkingjeve që këto aksione mos jenë simbolike por të përditshme. “Është pyetje për ata dhe është kërkesë edhe e imja,që këto aksione mos jenë simbolike por të jenë të përditshme. Kërkesa ime deri tek përgjegjësit në fjalë është që nuk duhet tolerohen parkingu aty ku nuk është vendi”, tha Kasami.

Nga policia e Tetovës thonë se gjatë kësaj periudhe janë intensifikuar aktivitetet për të mundësuar rend më të madh dhe qarkullim të lirshëm në komunikacion.

“Si prioritet gjatë këtyre aktiviteteve kanë qenë pastrimi i vendeve për ndalim të autobusëve, zonat e e udhëkryqeve dhe rrethrotullimeve, vendkalimeve të shenjëzuara për këmbësorë dhe vendeve pranë kontejnerëve. Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve të trafikut është qarkullimi i lirshëm i autobusëve të transportit publik dhe ndalimi i tyre nëpër vendet e dedikuara për ngarkim dhe shkarkim të sigurt të udhëtarëve, bartja pa pengesa e mbeturinave nga punëtorët e ndërmarrjes publike dhe qarkullim i lirshëm i automjeteve dhe këmbësorëve nëpër udhëkryqe dhe rrethrotullime”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.

Ky aktivitet është zhvilluar afër tregut të qytetit. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka folur mbi masat e marra për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët në lidhje me këtë problem të rëndësishëm. Nga ana tjetër, nga SPB-Tetovë apelojnë qytetarët që të kenë kujdes se ku i parkojnë automjetet e tyre, të mos parkohen vend e pa vend por vetëm në vende të posaçme për parkim, kështu që të kontribuojmë për komunikacion të sigurt dhe pa pengesa dhe së bashku të rrisim vetëdijen dhe respektimin e rregullave në trafik./Tv Koha/

Advertisement
Exit mobile version