Me vullnet të mirë, respekt të ndërsjellë dhe mirëkuptim mund të gjendet zgjidhje për çështjet e hapura mes Shkupit dhe Sofjes, vlerësoi presidentja Gordana Siljanovska Davkova pas takimit të djeshëm me homologun e saj bullgar Rumen Radev. Kreu i shtetit bullgar, nga ana tjetër, pret që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga Siljanovska Davkova të bëhet politikë konsistente e Qeverisë së Shkupit dhe pohon se Bullgaria ka qenë gjithmonë e hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut.
E pyetur se për çfarë janë marrë vesh me Radevin, ajo ka theksuar se janë bashkuar rreth integrimeve evropiane, kritereve të Kopenhagës, qasjes rajonale për zgjidhjen e problemeve.
“U bashkuam rreth faktit se do të marrim mësimet bullgare në rrugën evropiane, nuk do të duhet të përsërisim gabimet dhe do të kërkojmë një kompromis dhe një zgjidhje të përbashkët pa u ndjerë askush i fyer apo i lënduar dhe pa menduar se është harruar. Sinqerisht, secili prej nesh e kemi shprehur këndvështrimin tonë, e kemi dëgjuar njëri-tjetrin me respekt, por fakti është se ne përfaqësojmë interesat kombëtare të njërit dhe të tjetrit shtet, ndërsa është gjithashtu fakt që dialogu është zgjidhja kryesore”, tha Siljanovska Davkova.
Për çështjen rreth përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë konkretisht nuk është diskutuar në takimin me Radevin, ndërsa në lidhje me qëndrimin e saj për ndryshimin e Kushtetutës, Siljanovska Davkova tha se vendimet për këto çështje i marrin deputetët në Parlament dhe nuk varen nga qëndrimet e individëve.
Pas takimit, Radev nuk ka dhënë asnjë deklaratë, por është bërë e ditur përmes një komunikate nga kabineti i tij, ku theksohet se “Bullgaria pret që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga presidentja Gordana Siljanovska të bëhet politikë konsistente e Qeverisë së Republikës së Maqedonia së Veriut”. Radev theksoi se dialogu në nivelin më të lartë ndërmjet dy vendeve duhet të jetë aktiv dhe të stimulojë punën e qeverive, bizneseve, si dhe shkëmbimet bilaterale në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës.
Ai gjithashtu bën thirrje për përpjekje të përbashkëta shumë më aktive të Sofjes dhe Shkupit për ndërtimin e korridorit të transportit 8, i cili, siç nënvizon ai, është i një rëndësie kyçe për lidhjen dhe sigurinë në Evropën Juglindore dhe do të krijojë kushte cilësore të reja për biznes, turizëm dhe inkurajim të investimeve në një plan rajonal.