Sekretari shtetëror për çështje federale dhe evropiane i krahinës gjermane të Rajna-Vestfalisë Veriore, Mark Shpajh, për Dojçe velen tha se procesi i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE duhet të përshpejtohet dhe se në rritje është zhgënjimi në mesin e qytetarëve të Maqedonisë për anëtarësimin e vendit në Union, prandaj Gjermania duhet të bëjë diçka për ta përshpejtuar procesin.
“Ju mund ta ndjeni atë skepticizëm ose atë zhgënjim në rritje me procesin e anëtarësimit në BE. Dhe për të qenë i sinqertë, ka një arsye të mirë për këtë. Dua të them, procesi i anëtarësimit ka vazhduar për 20 vjet tani dhe ende nuk ka rezultat, kështu që është zhgënjyes. Është shumë e kuptueshme për mua, ndaj do të thoja se mënyra më e mirë për të ecur përpara është përshpejtimi i procesit dhe mendoj se kjo duhet të ndodhë nga pala e BE-së. Dhe padyshim që ne e dimë se ka disa lojtarë të vetos dhe gjithë ajo lojë shumë komplekse. Por unë mendoj se ne duhet të përdorim pushtetin politik këtu dhe mendoj se Gjermania duhet të luajë një rol kyç këtu në tejkalimin e këtyre pengesave. E vetmja mënyrë për të parandaluar atë zhgënjim është t’i jepet fund procesit të anëtarësimit dhe fundi për mua do të thotë anëtarësim”, thotë Shpajh në një bisedë për DV në gjuhën maqedonase.
Këtë javë, Shpajh ishte në një vizitë dyditore në Shkup dhe pati takime me përfaqësuesit më të lartë politik dhe ekonomik, ai u takua edhe me një grup gazetarësh të rinj që marrin pjesë në një projekt për luftimin e dezinformatave të financuar nga qeveria e Rajna Vestfalisë Veriore.
Ai thotë se Gjermania ofron mundësi të shumta për të rinjtë nga Maqedonia e Veriut, por fokusi nuk është nxitja e “ikjes së trurit”.