Komisioni parlamentar i Punës Sociale dhe Demografisë e ka bllokuar Ligjin për “branitellat”, pasi nuk e vendosi atë në rend dite. Ligji i propozuar nga LSDM-ja, ka shkaktuar debate të shumta në opinion, pasi me të parashihet ndihmë financiare në vlerë deri në 82.000 euro. Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti prej Uashingtonit, ku po qëndron për vizitë zyrtare, ka porositur se Ligji për “Branitellat”, i propozuar nga LSDM nuk kalon. Sipas tij, me këtë ligj po BDI, LSDM dhe E Majta, i kanë bashkuar forcat për me qëllim që të realizohen paralajmërimet për destabilizim.“Ligji i Sllavjankës dhe Blerimit për branitellat nuk kaloi. BDI nëpërmjet LSDM-së e fut Ligjin e “Branitellave” në rend dite në Kuvend. BDI, përmes LSDM-së dhe Levicës sulmon kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi dhe kërkon shkarkimin e tij vetëm se është shqiptar. BDI nëpërmjet LSDM-së dëshiron të shfuqizojë Gjuhën Shqipe, si gjuhë zytrtare. Por jo, të gjitha këto mbeten vetëm tentativa të dështuara sepse VLEN është garantues i të drejtave të shqiptarëve në këtë vend. Ju nuk mund të dëmtoni shqiptarët sepse ne kemi guximin dhe fuqinë për t’i mbrojtur”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.Arben Taravari nga VLEN, deklaroi se në periudhën në vazhdim do të diskutojnë me partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE-së për këtë çështje. Megjithatë, kushti është që krahas “Branitellave”, të ketë zgjidhje edhe për ish ushtarët e UÇK-së. Nga ana tjetër, opozitarja BDI ka akuzuar koalicionin VLEN se një ditë më parë kanë mundësuar kuorum për miratimin e rendit të ditës, duke përfshirë edhe Ligjin për “branitellat”.“Deputetët humbës të Vlen në fillim deklaruan që janë kundër dhe do ta pengojnë miratimin e ligjit për branitella, e braktisën seancën, ndërsa pas telefonatës nga pronarët e tyre nga VMRO, u kthyen me bishtin e paluar dhe mundësuan kuorum për miratimin e rendit të ditës me gjithë Ligjin për branitella”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.Ligji për “Branitellat” dhe familjarët e tyre në Kuvend është dorëzuar nga Sllavjanka Petrovska e LSDM-së. Me të, listës së përfitimeve financiare për ish forcat e sigurisë dhe familjarëve të tyre, i shtohen një nen i cili parashikon kompensim të njëhershëm financiar në bazë të shkallës së invaliditetit deri në 82.000 euro për person. Krahas “Branitellave” të vitit 2001, ligji do t’i kompensojë edhe familjarët e të vdekurve apo pjesëtarëve të vrarë të forcave maqedonase të sigurisë nga viti 1991 deri në vitin 2024. shqiptare