Komuna e Gostivarit ka aplikuar me 15 projekte në thirrjen për ndarjen 100 milionë eurove nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Shumica e projekteve kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore të qytetit, në mesin e tyre edhe ndërtimin i një shëtitoreje të re në qendër të qytetit. Bëhet fjalë për rrugën “Koço Zozi” e cila lidh sheshin me filialin kryesor të Postës në Gostivar.
Kryetari Valbon Limani thotë se të gjitha projektet me të cilat kanë aplikuar, janë hartuar sipas standardeve që kërkohen dhe pret që të gjithë të pranohen.
“Si administratë e komunës së Gostivarit, tashmë kemi përgatitur aplikacionet për15 projekte infrastrukturore. Kryesisht bëhet fjalë për rikonstruktim dhe asfaltim të rrugëve në komunën e Gostivarit. Njëri prej projekteve që dua ta përmend është pjesa e Kinemasë së vjetër e cila do të shndërrohet në një shëtitore moderne. Besoj dhe shpresoj që këto projekte të realizohen deri në fund të vitit apo pranverën e ardhshme kur presim të ketë edhe një shpallje në të cilën gjithashtu do të aplikojmë me projektet që i kemi paraparë”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Kryetari Limani bëri të ditur se aktualisht është duke u punuar në rregullimin e kanalizimit në rrugën Zdunjë – Debresh. Në një gjatësi prej mbi dy kilometra, rregullohet për herë të parë në këtë pjesë të qytetit, ndërsa pas mbarimit të tij, tashmë autoritetet lokale thonë se kanë siguruar mjete financiare edhe për asfaltimin e rrugës.
“Kanalizimi në rrugën Zdunjë – Debresh vazhdon dhe mendoj se për një kohë të shkurtër do të finalizohet ajo pjesë e cila kishte mbetur. Ndërkohë, në kontakt me Bankën Botërore dhe me kompaninë e cila filloi punimet në rrugën Zdunjë-Debresh, u njoftova se javën tjetër fillon pjesa e mbetur e asfaltimit dhe besoj se deri në fund të vjeshtës edhe ajo do të kompletohet tërësisht”, deklaroi Valbon Limani, kryetar i komunës së Gostivarit.
Ditët në vijim pritet të fillojë edhe një projekt tjetër i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore. Bëhet fjalë për bulevardin “Goce Dellçev”, i cili do të rikosntruktohet dhe asfaltohet në të dyja anët e tij nga Pallati i Kulturës deri te Stacioni i autobusëve.
“Për kohë të shkurtër, ndoshta javën tjetër, do të fillojë rikonstruktimi dhe asfaltimi i bulevardit ‘Goce Dellçev’, pjesa që e lidh nga Pallati i Kulturës deri te Stacioni i autobusëve, pjesë e cila mendoj se ka nevojë për rikonstruim, ndërsa me 15 projektet që i përmenda në fillim, infrastruktura rrugore në qytet dukshëm do të përmirësohet”, deklaroi Limani.
Në këtë thirrje, kryetari Limani bëri të ditur se fokusi më shumë është vendosur në infrastrukturën e qytetit, kurse tek thirrja e dytë e cila do të shpallet nga qeveria në fillim të vitit tjetër me vlerë 250 milionë euro, theksi do jetë në infrastrukturën e fshatrave.
Ndryshe, sot skadon afati ku komunat duhet të plotësojnë formularin e aplikimit për thirrjen publike të shpallur nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Pas marrjes së formularëve të aplikimit fillon procesi i vlerësimit, i cili pritet të përfundojë jo më vonë se 10 ditë dhe në bazë të tij ministritë përkatëse përgatisin propozimin për vendim se cilat projekte do të financohen nga dikasteret e tyre dhe Propozimi për vendim dorëzohet për miratim në seancë të qeverisë.
Mjetet do të ndahen përmes gjashtë ministrive përkatëse, përkatësisht: Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Sporteve.