Site icon Tetova Expres

A po zgjidhet problemi në Çashkë? Janevska: Shkolla “Dituria” gati për dy muaj, janë ndarë 6.5 milionë denarë

Nxënësit shqiptarë nga komuna e Çashkës, nga klasa e parë deri në të pestën, shkollën e re “Dituria” do të mund ta shfrytëzojnë pas dy muajve. Kështu bëri të ditur ministrja e arsimit Vesna janevska. Njoftoi se thirrja publike është mbyllur dhe tani shqyrtohen aplikimet. Për këtë shkollë njoftoi se janë ndarë 6.5 milionë denarë, ndërsa pagesa do të bëhet varësisht si do të realizohen punimet.

“6.5 milionë denarë konsiderojmë se do të jetë i gjithë projekti. Por unë përsëri them, ne do të dakordohemi me kryerësin, qytetarët fare të mos brengosen. Shkolla do të jetë gati supozoj më së shumti për dy muaj edhe pse do të dakordohemi për afatet sepse kjo nuk është shkollë e madhe ndoshta edhe më herët”, tha Vesna Janevska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Në fakt në gjendje më të vështirë për momentin gjenden dhjetë nxënësit e klasës së parë dhe të dytë, pasi të njëjtit edhe më tej nuk kanë filluar me mësim. Shkolla “Dituria” që është në përgatitje e sipër ende nuk është gati, ndërsa në shkollën fillore “Todor Janev” nuk lejohen të ndjekin mësimin shqip por vetëm maqedonisht. Të detyruar, orët mësimore do t’i mbajnë në mektebin e xhamisë të fshatit Banjicë. Ky mekteb për momentin po përshtatet me kushtet dhe pritet të jetë gati për rreth dy javë.

E që të gjithë nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në të nëntën të mësojnë në gjuhën amtare, vitin e ardhshëm Ministria e Arsimit duhet të ndërtojë një shkollë tërësisht të re. Kështu dje njoftoi kryetari i komunës së Çashkës, Goran Stojanovski.

Me këtë proces, me ndërtimin e kësaj shkolle të re, pjesërisht zgjidhet problemi. Madje edhe në marrëveshje qëndron se komuna deri në fund të këtij viti duhet të përgatitë projekt e për të cilin vetëm se punojmë në këtë proces, e që vitin e ardhshëm Ministria e Arsimit duhet të ndërtojë shkollë të re nëntë vjeçare e ku nxënësit të komunitetit shqiptarë nga vendbanimet përreth do të përcillnin mësimin. Kështu do të rumbullakësohej i gjithë procesi që nxënësit e komunitetit shqiptar të mund të mësojnë nga klasa e parë deri në të nëntën”, tha Goran Stojanovski – kryetar i Çashkës.

Advertisement

Përndryshe në muajin dhjetor të vitit të kaluar, prindërit e nxënësve të komunitetit maqedonas mbanin protesta para shkollës fillore “Todor Janev” duke mos i lënë mësimdhënësit të hyjnë në objektin shkollor. Këtë e lejonin vetëm nëse nxënësit shqiptarë ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase e jo në gjuhën amtare. Kështu në fakt edhe më tej bëjnë nxënësit shqiptarë nga klasa e tretë deri në të nëntën.

Exit mobile version