Site icon Tetova Expres

Greqia dënon me burg katër shtetas të RMV-së, ishin të përfshirë në vjedhjen e veturave luksoze

Katër shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët u arrestuan vitin e kaluar dhe të akuzuar si anëtarë të një grupi kriminal që vidhte makina luksoze nga turistët e huaj në Halkidiki, janë dënuar me burgim në Greqi, njoftoi agjencia greke e lajmeve ANA-MPA.

Vitin e kaluar policia greke shkatërroi një organizatë kriminale në të cilën ishin përfshirë gjashtë persona, të gjithë shtetas maqedonas, të cilët akuzoheshin për 19 vjedhje të makinave luksoze në Halkidiki, me vlerë mbi një milion euro, ndërsa dy nga të akuzuarit ende nuk janë arrestuar, por janë identifikuar.

Gjykata penale prej tre anëtarësh në Selanik dënoi tre nga të pandehurit me 12 dhe 14 muaj burg, ndërsa i katërti me tetë vjet e dhjetë muaj burg, i cili, sipas vendimit, ishte përgjegjës për hyrjen në objekte turistike dhe vjedhje.

Dy persona të tjerë ndiqen penalisht për pjesëmarrje në të njëjtin grup kriminal dhe në mesin e tyre, sipas ANA-MPA, është edhe “truri i grupit”.

Agjencia greke e lajmeve shkruan se sipas vendimit të gjykatës, të dënuarit i kanë çuar automjetet e vjedhura në zonën e Eordejës pranë Kozanit, nga ku një tjetër bashkëpunëtor i ka marrë dhe i ka transportuar në Maqedoninë e Veriut përmes kalimeve të fshehura.

Advertisement

Për këtë arsye gjykata i shpalli të pafajshëm tre “shoferët” për veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe kërkoi që të ndiqen penalisht për veprën e marrjes së produkteve të veprës penale.

Njëri nga personat e arrestuar u zbulua në rajonin e Halkidikit nga punonjësit e policisë së stacionit Poligiros, teksa drejtonte një automjet të vjedhur nga një shtetas i huaj, i marrë pas një vjedhjeje në një objekt turistik në Halkidiki.

Sa i përket metodologjisë, policia greke më pas sqaroi se anëtarët e organizatës fillimisht kanë lokalizuar automjetet luksoze të turistëve në Halkidiki, më pas kanë hyrë në shtëpi për të marrë çelësat dhe më pas kanë vjedhur automjetet.

Secili prej anëtarëve kishte një rol specifik, i cili i referohet koordinimit të organizatës kriminale, lokalizimit të automjeteve, kryerjes së vjedhjeve dhe transportimit të makinave jashtë vendit.

Advertisement
Exit mobile version