Lajme nga vendi
Fillojnë kalkulimet për Çairin: Kandidatët kryesorë nga VLEN dhe BDI në përgatitje për zgjedhjet e ardhshme?
Vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë që tani partitë politike kanë nisur të bëjnë kalkulime për emrat e kandidatëve për kryetar komunash. Njëra prej komunave ku pritet të ketë garë në nxehtë është ajo e Çairit, ku me siguri do të përballen kandidatët nga VLEN dhe BDI.
TV21 mëson jozyrtarisht për emrat që po lakohen nëpër kanalet partiake. Te VLEN një prej kandidatëve të mundshëm është Bekim Sali nga Alternativa, me çka thuhet se Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitet këtë emër po trajton me korrektësi. Nga ana tjetër nga partia e Mexhitit kanë dalë disa emra.
Përmendet emri i Kaltrina Zekollit, zëvendësministre aktuale në Ministrinë e Transportit. Më pas Naser Ademi, ish revizor shtetëror dhe ish shef i financave në Komunën e Çairit. Flitet edhe për të riun Jetmir Hasani, por siç mësohet nuk ka përkrahje të madhe në këtë drejtim. Burimet thonë se edhe Visar Ganiu, kryetar aktual, mbetet një opsion. Mësohet se Ganiu ka synuar postin e rektorit në Universitetin Nëna Terezë, por pasi nuk i ka plotësuar kushtet e kualifikimit, i janë kthyer shpresat për të menduar për një mandat të tretë në krye të Komunës.
Edhe në kampin tjetër, te BDI, ka shumë kalkulime dhe spekulime për emrat e kandidatit për Çairin.
Siç mëson TV21, njëri prej tyre është Bujar Osmani, ish ministër i punëve të jashtme. Si opsion është edhe Suat Alija, por ky i fundit nuk dihet nëse mund ta pranojë kandidaturën, pasi ai ka shumë shokë dhe miq nga të dyja anët, edhe në BDI edhe në VLEN. Gjithashtu nga partia e Ahmetit po mendojë që kandidati për Çairin të jetë ndonjë figurë që nuk është i përfshirë në politikë, ndërsa flitet për një biznesmen të njohur i cili merret me ndërtimtari.
Deri në mbajtjen zgjedhjeve lokale ka ende kohë, por partitë tashmë po punojnë në këtë drejtim me qëllim që të fitojnë sa më shumë komuna.
Lajme nga vendi
U lëshua në përdorim hekurudha Kumanovë-Beljakovcë pjesë e Korridorit 8, e nisur dhe premtuar para 10 vitesh
Është vënë në përdorim hekurudha Kumanovë-Beljakovcë, e cila është pjesë e Korridorit 8, njoftoi Ministria e Transportit. Hekurudha është e gjatë 30.8 kilometra dhe përfshin tre stacione të reja hekurudhore, pesë ura, një tunel dhe shumë objekte të tjera infrastrukturore, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski në ngjarjen me rastin e vënies në punë të hekurudhës tha se Korridori 8 paraqet një projekt të rëndësishëm dhe strategjik së bashku me Korridorin 10.
“Këto dy korridore janë prioriteti kryesor për këtë qeveri sepse si shtet ne përfaqësojmë një kryqëzim natyror të këtyre dy korridoreve dhe kjo duhet të përfaqësojë përparësinë tonë në krahasim me shtetet e tjera në rajon”, tha Mickoski.
Siç tha ai, seksioni i dytë do të përfundojë së shpejti, si dhe procedura e tenderit për pjesën e tretë.
“Jam i bindur se seksioni i dytë do të përfundojë së shpejti brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Shumë shpejt do të përfundojë procedura e tenderit të seksionit të tretë, që do të thotë se ne do të lidhemi plotësisht me fqinjin tonë lindor dhe kështu do të jemi pjesë e një korridori shumë të rëndësishëm jo vetëm për BE-në, por edhe për NATO-n”, shtoi kryeministrit.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se shfrytëzimi i kësaj hekurudhe do të thotë shumë për popullatën vendase, por edhe për biznesin.
“Insistojmë që trafiku i mallrave të zhvillohet dhe tashmë kemi folur për pjesë të caktuara të trafikut të mallrave në këtë hekurudhë në mënyrë që biznesi të zhvillohet më lehtë. Dëshiroj ta falënderoj personalisht kryeministrin për mbështetjen, nuk është punë e vogël që për dy javë të hapen tre projekte të mëdha”, tha Nikolloski.
Ky projekt filloi në vitin 2024 por asnjëra qeveri (LSDM-VMRO) nuk arriti ta përfundonte.
Gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (dhjetor 2016) LSDM premtoi përfundim të rikonstruktimit të hekurudhës Kumanovë-Beljakovcë. Premtimi i përmendur i socialdemokratëve ishte pjesë e programit të tyre zgjedhor: “Plani për jetë në Maqedoni“, ku përmendej në më shumë vende.
Sipas projektimeve të asokohshme zgjedhore të LSDM dhënë në program, premtimi duhej të plotësohet më së voni deri në qershor të vitit 2019, duke pasur parasysh se Qeveria e atëhershme e udhëhequr nga LSDM u zgjodh me 31 maj të vitit 2017.
Deklaratat e Qeverisë të viti 2019 flisnin se përfundimi i hekurudhës nga Kumanova deri në Beljakovce do të vonohet gjashtë muaj, gjegjësisht pritej që kjo pjesë të përfundojë në fund të vitit 2019. Por, vonesa në fakt zgjati plot shtatë vite.
Rikonstruktimin dhe ndërtimin e hekurudhës nga Kumanova deri në Beljakovce e premtoi edhe VMRO-DPMNE, së pari në programin zgjedhor “Manifest për reforma dhe zhvillim” (faqe 79) me të cilat partia doli në zgjedhje parlamentare në vitin 2011, më pas, edhe në zgjedhjet e parakohshme në vitin 2014 në programin “E verifikuar” (faqe 67). Realizimi i këtij projekti filloi në mars të vitit 2014, por as qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe as ajo paraprake e LSDM-së nuk arritën ta realizojnë premtimin.
Lajme nga vendi
Trend i rrezikshëm në Tik-Tok? 17 vjeçari është në gjendje kritike
Gjendja e një 17-vjeçari nga Volkova është kritike, pasi dje u godit nga rryma teksa ka qenë në një vagon-cisternë, konfirmoi nga Qendra urgjente. “Pacienti është pranuar në Qendrën urgjente me djegie dhe është shtruar në terapi intensive”. “Ekipet mjekësore janë duke marrë të gjitha masat e nevojshme për t’ia shpëtuar jetën, konform protokolleve mjekësore”, njoftuan këtë pasdite nga Qendra. Ngjarja ka ndodhur dje në një linjë hekurudhore në komunën e Kisella Vodës. Sipas informacioneve të MPB-së, djali ishte ngjitur në cisternë, e cila ka marrë flakë pas goditjes nga rryma.
Lajme nga vendi
Rritet numri i të prekurve nga gripi stinor, kryesojnë Shkupi, Dibra e Kumanova
Gripi ka marrë një hov të madh, madje numri i të prekurve mund të jetë më i madh se sa raportohet nga autoritetet, pasi një numër i pacientëve nuk paraqiten tek mjekët për kontroll. Mjekët thonë se nga një anëtar i familjes mund lehtësisht të preken edhe anëtarët e tjerë, ndërsa njëra ndër arsyet e rritjes së numrit janë edhe ahengjet me rastin e festave të fund vitit.
“Fëmijët janë ato që dominojnë në numrin më të madh të prekur nga gripi. Para së gjithash dominojnë fëmijët deri në moshën 5 vjeçare… Arsyet janë se gripi është sëmundje shumë ngjitëse, do thosha se nëse keni një anëtar të familjes, në tre ditët e ardhshme do të infektohet të gjithë anëtarët e tjerë… Ky numër që e shohim tani do thosha se është edhe më i madh, sepse ka një pjesë të pacientëve që nuk vijnë për kontrolle”, tha Ankica Stanoevska, mjeke amë.
Gripi më së shumti prek fëmijët, të cilët rrezikojnë të infektohen nga bronkopneumonia. Kjo ka bërë që të mbushen shtretërit në Klinikën e Fëmijëve dhe në Kozle.
“Ky infeksion dhe në këtë periudhë kryesisht janë me bronkopneumoni, pasi një numër shumë i vogël i pacientëve kanë simptoma të lehta veçanërisht fëmijët. Kur e shohim fëmijët në ditën e parë të kontrollit është me dhimbje fyti, në ditën e dytë pacienti vjen me bronkopneumoni, për këtë shkak dominojnë edhe shumë kontrolle…Spitali i Kozles dhe Klinika e Fëmijëve, pediatria tani më është e mbushur me fëmijë dhe gjithmonë kërkohet një shtrat më shumë, pasi një numër i madh i të prekurve nga bronkopneumonia janë të hospitalizuar”, deklaroi Ankica Stanoevska, mjeke amë.
Sipas të dhënave të Instituti të Shëndetit Publik gjatë javës së kaluar janë regjistruar 1053 raste të gripit që paraqet rritje trefishë më të lartë në dallim me javët paraprake. Incidenca më e lartë është regjistruar tek fëmijët e moshës 0 deri në 4 vjeç, dhe tek fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç.
Për herë të parë këtë sezon, incidenca e gripit është mbi kufirin javor të aktivitetit sezonal të gripit. Numri më i madh i të sëmurëve është në Shkup (305), pasuar nga Dibra me 134, Kumanova me 118, Tetova dhe Gostivari me 66, Kavadarë me 62. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve