Site icon Tetova Expres

Shqipëria në bashkëpunim me TikTok, kundër përmbajtjeve të dëmshme

Autoriteti i Mediave Audiovizive i Shqipërisë ka vendosur një bashkëpunim me platformën sociale TikTok, që synon ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të dëmshme, siç janë videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve.

Lajmin e bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila tha se “çdo përmbajtje e dëmshme e publikuar në këtë platformë, do të regjistrohet në kanalin e hapur për llogari të AMA-s, për t’u shqyrtuar, dhe nëse nga ekipet tona do të konsiderohet si e tillë, do të marrim masat e nevojshme”.

“Duke filluar nga sot, ju ftoj të raportoni në linkun e dedikuar, në faqen zyrtare të AMA-s, çdo përmbajtje të dëmshme sipas mendimit tuaj, që shfaq apo nxit dhunë, që përmban gjuhë urrejtje, që shkel të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve. Çdo përmbajtje që cenon liritë tona duhet ndaluar”, theksoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s, Krasniqi shtoi se “bashkërregullimi është tashmë formula e gjithëpranuar për një treg mediatik të dobishëm për të gjithë, dhe ne mund të bëhemi pjesë aktive e këtij procesi”.

Në ueb-faqen zyrtare të AMA-s është hapur një dritare e dedikuar, ku mund të raportohen videot e dëmshme, që publiku ndesh gjatë lundrimit në platformën TikTok.

Advertisement

 

 

Exit mobile version