Site icon Tetova Expres

Policia pyjore “godet” një tjetër zinxhir të “mafias” së druve në rajonin e Kërçovës

Derisa qytetarët fillojnë përgatitjet për stinën e dimrit, theksohet edhe roli i mafias për lëndët drurore. Policia pyjore dhe ajo kufitare mbrëmë kanë goditur një tjetër zinxhir të mafias së druve në rajonin e Kërçovës. Siç njoftojnë nga inspektorati shtetëror i mjedisit, policia pyjore dhe ajo kufitare, së fundmi kanë përforcuar kontrollet.

“Në një aksion të përbashkët të policisë pyjore në Kërçovë, së bashku me policinë kufitare, në fshatin Kollarë është zënë një kamion me dru zjarri nga pyjet shtetërore pa dokumente për transport. Për autorët janë dorëzuar kallëzimet përkatëse në institucionet kompetente, kamioni i cili është përdorur për transportin e drurit është konfiskuar dhe është ruajtur në Stacionin Policor në Zajas”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.

Nga inspektorati paralajmërojnë aksione të shtuara edhe në të ardhmen, duke nënvizuar se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, policinë e pyjeve dhe pyjet kombëtare, do të bëjnë të pamundurën për të ndaluar tregtinë e paligjshme të druve dhe prerjen e tyre. Prerja ilegale e druve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të lulëzojë prej vitesh. Sipas disa analizave mungesa e ngrohjes qendrore dhe gazifikimit në vend dhe zinxhiri i ofertës dhe kërkesës për dru zjarri, janë disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të prerjeve ilegale të druve. Arsyeja se përse ky biznes lulëzon është shitja në sasi të madhe për shkak të çmimit te ulët të druve të prera ilegalisht në raport me ato legale. Besohet se mafia e druve fiton miliona euro në vit nga prerjet e paligjshme. /Alsat.mk

Exit mobile version