Site icon Tetova Expres

Ushtria gjermane: Kosova është zhvilluar me shpejtësi, ka autostrada si në Gjermani dhe aeroport modern

Deri në janar të këtij viti, vetëm rreth 100 ushtarë gjermanë ishin të përfshirë në misionin e KFOR-it në Kosovë. Por në ndërkohë, Bundeswehr-i ka rritur dukshëm prezencën e tij në Kosovë. Një task-forcë prej rreth 200 ushtarësh është dërguar në Kosovë këtë vit, ka raportuar më 26 gusht faqja zyrtare e ushtrisë gjermane, “Bundeswehr.de”.

Ky vendim, sipas njoftimit, vjen si reagim ndaj paqëndrueshmërisë në rritje në rajon, i cili thuhet se ka qenë dëshmitar i rasteve të shumta të dhunës që nga viti 2022.

“Për vite me radhë, pjesëmarrja gjermane në operacionin e Forcave të Kosovës KFOR u karakterizua nga tkurrja e kontingjenteve. Megjithatë, meqë shpërthimet në rritje të dhunës kanë kërcënuar stabilitetin e rajonit që nga viti 2022, Bundeswehr-i ka dërguar një kompani operative prej rreth 200 burrash dhe grash në Forcën e KFOR-it të Kosovës në vitin 2024. Me patrullat e saj ajo siguron pak më shumë siguri”, shkruan në përmbledhjen e këtij artikulli të shkruar nga ekipi redaktues i faqes zyrtare të Ushtrisë Gjermane “Bundeswehr.de”.

Sipas tyre, Kosova është zhvilluar me shpejtësi dhe ka autostrada si në Gjermani dhe aeroport modern.

“Kushdo që arrin në Kosovë vështirë se mund ta besojë se është një zonë e operacioneve të Bundeswehr-it. Një aeroport modern, autostrada si në Gjermani dhe qendra të ndryshme tregtare janë gjërat e para që ju bien në sy. Kosova, me përafërsisht 11,000 kilometra katrorë të saj vetëm sa gjysma e madhësisë së Hessen-it, është zhvilluar me shpejtësi në dekadat e fundit. Por, prosperiteti i shtuar fsheh faktin se atje ende po zien një konflikt, i cili kërkon praninë e një force mbrojtëse ndërkombëtare, Forca e Kosovës (KFOR)”, thuhet në hyrje të këtij artikulli.

Advertisement
Exit mobile version