Lajme nga rajoni
Pas kreut të CIA, Kurti pret edhe përfaqësues të NATO: Mbështetja e SHBA, e palëkundur!
Pak ditë pas vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, kryeministrit Albin Kurti në zyre pritet t’i shkojnë edhe përfaqësues të Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, e ministra të shteteve anëtare të kësaj aleance.
Kjo u bë e ditur nga i pari i ekzekutivit kosovar, i cili tha se gjatë këtyre takimeve do të diskutohet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Pas vizitës në SHBA, javën e kaluar në harkun kohor të pak ditëve, mysafir kemi pasur në kryeministri, shefin e Agjencisë Qendrore për Inteligjencë, William Burns dhe admiralin i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s. Mbështetja e tyre është e palëkundur, bashkëpunimi i gjerë dhe i fuqishëm, kurse përkushtimi i përbashkët është serioz dhe produktiv në shërbim të paqes dhe sigurisë të cilat ecin paralelisht me sundimin e rendit dhe ligjit si dhe progresin demokratike dhe ekonomik.
Nesër për vizitë vjen zoti Thomas Goffus, ndihmës sekretar i përgjithshëm për operacione i NATO-s, sot vjen delegacioni danez i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa javën e ardhshme do t’i mirëpresim dy ministra të jashtëm të dy shteteve anëtare të NATO-s”, deklaroi ai.
Shefi i qeverisë tha se janë duke vazhduar konsultimet me aleatët ndërkombëtar sa i përket hapjes mbi lumin Ibër.
Me këtë rast, ai u shpreh se liria e lëvizjes është e drejt themelore për Republikën e Kosovës.
“Në të gjitha këto takime natyrisht se diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilin jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. Liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Kurti: Në fokus të diskutimeve me ndërkombëtarët, hapja e urës mbi Ibër
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se të gjitha takimet e fundit dhe ato që do të ketë në vazhdim me faktorin ndërkombëtar, kanë në fokus diskutimet mbi hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, tha se me aleatët do të punohet ngushtë në vlerësimet mbi hapjen e urës dhe tha se liria e lëvizjës është e drejtë themelore.
“Hapja e urës është liri e lëvizjes, e liria e lëvizjes është e drejtë themelore,si në Be ashtu edhe në Kosovë”, shtoi kryeministri Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se në takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës së fundit në SHBA, ka kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë.
Gjithashtu, kryeministri Kurti bëri të ditur se nesër në Prishtinë do të qëndrojë ndihmës-sekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus. SYRI.net
Lajme nga rajoni
Avokati: SPAK ka nisur hetimin për fondacionin e Liri Berishës, do të merret në pyetje gjithë familja
Ish-kryeministri Sali Berisha ishte ditën e sotme në SPAK, pasi u mor zyrtarisht i pandehur për aferën ‘Partizani’. Por, çfarë pritet të ndodh tani me Berishën?
Këtë e ka sqaruar avokati Idajet Beqiri ditën e sotme, në një lidhje skype për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, ku tha se Berisha rrezikon nga 2 deri në 8 vite burg nëse ai shpallet fajtor.
“Kanë përfunduar hetimet dhe sot i është komunikuar akuza dhe pas kësaj merresh i pandehur, njihesh me aktet e dosjet me 500 faqe, i jepet dosja të pandehurit dhe avokatëve të tij dhe ai ka të drejtë që të bëjë deklarimet e veta dhe të jap shpjegime dhe të thotë nëse e pranon ose nuk e pranon.
Çështja do të merret nga gjyqtari i seancës paraprake, i cili do ta dërgoj për gjykim, kur dosja është e kopsitur dhe ai duhet që të ndëshkohet me bashkëpuntorët e tij, ose gjyqtari mund të thotë se hetimet nuk janë të plota, por duhen plotësuar ose ai mund të vendos pushimin e çështjes, sepse mund të thotë nuk përbënë vepër penale.
Por, nga përmbajtja e dosjes është një çështje konkrete dhe në atë dosje të gjithë ata që ishin jurist thanë se ai rrezikon që të dënohet nga 2 deri në 8 vite burg”, tha ai.
Beqiri tha se një tjetër dosje për të cilin mund të merret i pandehur Berisha, është edhe fondacioni i bashkëshortes së tij Liri Berisha ‘Fëmijët Shqiptarë’, pasi SPAK ka nisur hetimin pasuror për këtë fondacion.
“Fondacioni i Liri Berishës është dosje më vete, ku do të merret i pandehur edhe Berisha, gruaja, vajza e tij. Berisha thoshte do futet në burg Taçi se ka bërë korrupsion dhe Taçi përveç miliona euro që i dha familjes së Berishës vetëm një pikturë i asaj 100 mijë euro dhe që pruri ekipin e Milanit në Shqipëri dhe ca u fitua ja dha Liri Berishës dhe ajo këto si ka deklaruar”, tha ai.
Avokati Beqiri përmendi edhe çështje të tjera për të cilat akuzohet Berisha, përveç aferës së Kompleksit ‘Partizani’
“Ky kjo është faqja e parë e librit voluminoz, sot atij SPAK i tha ardhç me këmbën e mbarë, për çështjet e tjera. Ai tërhoqi këmbën zvarrë edhe për familjen e vet, është djali tij Shkëlzeni, vajza dhe bashkëshortja e tij që janë të mbytur në krime dhe korrupsion. Është njeriu me rekorde kriminale në këtë vend. Ndaj tij kanë filluar që të ngrihen akuza të tjera për çështje të tjera.
Gërdeci është në proces dhe ai do të merret për të dëshmuar. Për CEZ -DIA do të jap llogari para shqiptarëve. Për 4 vrasjet e 21 janarit, por edhe për të tjerë persona që u plagosën atje. Nga privatizimi i Albpetrol, fonadacioni i Lirisë që është një krim makabër, për vjedhje masive dhe gjobëvënie masive.
Ai do merret i pandehur edhe për 21 janarin, unë e them këtë edhe duke parë si po ecën hetimi. Dhe them se do të merret para se të marr dënimin për kompleksin ‘Partizani’, pra do ta ketë edhe një akuzë tjetër për 21 janarin”, tha ai.
Lajme nga rajoni
Gjerdani 2 700-vjeçar i ekspozuar në muzeun e SHBA-së i kthehet Turqisë
Një gjerdan 2 700-vjeçar prej ari i ekspozuar në një muze në SHBA u është kthyer autoriteteve turke.. Gjerdani nga Mbretëria e Lashtë e Lidias iu dorëzua zyrtarisht zyrtarëve turq në një ceremoni në Konsullatën e Turqisë në Boston.
“Gjerdani i gjatë rreth 20 centimetra është bërë nga ari dhe rruaza karneliane në formë shege”, tha për Anadolu, Hilal Demirel, atashe për kulturë dhe promovim e Turqisë në New York.
Gjerdani ishte vjedhur nga provinca turke e Manisës dhe ishte kontrabanduar në SHBA në vitin 1982. Gjerdani ishte ekspozuar në një muze në Boston për shumë vite.
Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy tha se 20 artefakte historike janë kthyer në Turqi që nga fillimi i këtij viti. “Po sjellim një tjetër artefakt historik të Anadollit në Turqi, duke e rritur totalin në 21”, tha Ersoy në X.
Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit tha në një deklaratë se gjerdani do të sillet në Turqi në ditët në vijim. Ministria shtoi se gjerdani, i cili ka vlerë të rëndësishme historike dhe kulturore për rajonin, daton në shekujt 6 ose 5 para erës sonë. A.K./TemA
Lajme nga rajoni
Shqipëria në bashkëpunim me TikTok, kundër përmbajtjeve të dëmshme
Autoriteti i Mediave Audiovizive i Shqipërisë ka vendosur një bashkëpunim me platformën sociale TikTok, që synon ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të dëmshme, siç janë videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve.
Lajmin e bëri të ditur në një postim në rrjetet sociale kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila tha se “çdo përmbajtje e dëmshme e publikuar në këtë platformë, do të regjistrohet në kanalin e hapur për llogari të AMA-s, për t’u shqyrtuar, dhe nëse nga ekipet tona do të konsiderohet si e tillë, do të marrim masat e nevojshme”.
“Duke filluar nga sot, ju ftoj të raportoni në linkun e dedikuar, në faqen zyrtare të AMA-s, çdo përmbajtje të dëmshme sipas mendimit tuaj, që shfaq apo nxit dhunë, që përmban gjuhë urrejtje, që shkel të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve. Çdo përmbajtje që cenon liritë tona duhet ndaluar”, theksoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s, Krasniqi shtoi se “bashkërregullimi është tashmë formula e gjithëpranuar për një treg mediatik të dobishëm për të gjithë, dhe ne mund të bëhemi pjesë aktive e këtij procesi”.
Në ueb-faqen zyrtare të AMA-s është hapur një dritare e dedikuar, ku mund të raportohen videot e dëmshme, që publiku ndesh gjatë lundrimit në platformën TikTok.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve