Lajme nga vendi
“I lus qytetarët që të jemi të qetë”, Mickoski: Vijojnë provokime në baza ndëretnike
Pas informacioneve për destabilizim eventual të shtetit, kryeministri Hristijan Mickoski, pret provokime në baza ndëretnike. Thotë se në vjeshtë do të hapen më shumë hetime kundër personave që janë pasuruar me para të popullit, por njëkohësisht hodhi poshtë mundësinë se bëhet fjalë edhe për hajkë politike. Sipas tij, strukturat e tilla kanë përvetësuar qindra miliona euro dhe me ato para do të paguajnë grupe që të krijojnë incidente, për shkak se nuk do të kenë mundësi që të organizojnë protesta të gjata.
“Nga sjellja e tyre mund të përfundojmë se janë të pafuqishëm të mobilizohen dhe magnetizojnë protesta afatgjate, e tillë është analiza jonë, pa shkaktuar incidente ndëretnike, urrejtje etnike, padurim etj. dhe për këtë shkak në periudhën që vijon do të ketë provokime”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër i RMV-së.
Mickoski thotë se nuk duhet të biem pre dhe dërgoi lutje deri te qytetarët.
“Do të vijojnë provokime të llojit të tillë, andaj i lus qytetarët që të jemi të qetë, për shkak se ne kemi për qëllim që të zhvillohemi, të shkojmë përpara”, shtoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Nga koalicioni VLEN gishtin e drejtuan drejt BDI-së, duke theksuar incidentin në stadiumin e Strumicës që ndodhi para pak kohe.
“BDI-ja duhet të përgjigjet menjëherë: A është e vërtetë që, nën urdhrat e Artan Grubit dhe Omer Bunjakut, në ndeshjen ndërmjet FK Brera dhe FK Shkëndija në Strumicë është testuar një plan i BDI-së për të krijuar tensione përmes incidenteve në ngjarje sportive? – thonë nga koalicioni VLEN.
Nga BDI u përgjigjën që VLEN gënjen për shkak të dështimit dhe nënçmimit nga VMRO-DPMNE-ja.
“Asnjë premtim nuk e keni realizuar, ju jeni dështakët më të mëdhenj në historinë e kombit. I gjithë kombi shqiptarë, tifozët, klubi futbollistik, mediat, e dinë të vërtetën, prandaj ju jeni patetik dhe injorant në përpjekjet e juaja për tu arsyetuar nga fiaskoja që keni shkaktuar”, thonë nga BDI.
Nga BDI paraprakisht kumtuan se informacionet e Mickoskit për destabilizim janë bllof politik.
Lajme nga vendi
Ndahet nga jeta profesori i mirënjohur strugan, Ibrahim Zhuta
Në moshën 84-vjeçare ka ndërruar jetë profesori dhe albanologu i njohur strugan, Ibrahim Zhuta, një figurë e shquar në fushën e arsimit dhe shkencës shqiptare.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Prof. Zhuta ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e pedagogjisë dhe arsimit të lartë, duke formuar breza të tërë studentësh.
Ai njihej për përkushtimin e tij të thellë ndaj dijes dhe për veprat e shumta shkencore që lanë gjurmë në botën akademike.
Familja, kolegët dhe studentët kanë shprehur pikëllimin e tyre të thellë për humbjen e një njeriu të madh, i cili do të kujtohet për kontributin e tij të vyer në edukimin dhe zhvillimin e mendimit shkencor në vend.(INA)
Lajme nga vendi
VLEN: Është zbuluar një aferë korrupsioni përmes Lotarisë Shtetërore në vlerë prej tre milionë euro
Koalicioni VLEN sot filloi një seri konferencash për shtyp, ku do t’i prezantojnë opinionit siç shprehen informacione që përbëjnë dyshime të bazuara për korrupsion politik, në regji të figurave të shquara të ashtuquajturit Front Europian.
“Bëhet fjalë për skandale serioze, të cilat ndër të tjera do të zbulojnë metodat me të cilat BDI dhe Artan Grubi kanë vepruar për të siguruar ndikim politik, ku ky i fundit ka qenë zbatuesi direkt i të gjitha skenarëve të korrupsionit politik. Në këtë konferencë për shtyp do të publikojmë informacione për tenderët e fituar nga kompania e lidhur familjarisht me deputetin e Frontit Europian, Elmi Aziri, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të koalicionit mes Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit. Artan Ajruli paraqitet si pronari i kompanisë RITRON KOPI DOOEL, import-eksport Kumanovë, i cili është nipi i bashkëshortes së Elmi Azirit. Kjo kompani gjatë vitit 2022, për vetëm tre muaj ka fituar dy furnizime publike në Lotarinë Shtetërore ku drejtor ka qenë Përparim Bajrami, dora e djathtë e Artan Grubit. Furnizimet kanë të bëjnë me pajisje kompjuterike, stacione grafike dhe TV për tërheqjen e lotarisë, si dhe televizorë për instalimin e lojërave elektronike. Vlera totale vetëm për këto dy furnizime përmes Lotarisë Shtetërore, së bashku me anekset, arrin rreth 3 milionë denarë”, deklaroi Bujare Abazi, VLEN.
Sipas saj këto janë informacione vetëm nga një institucion.
“Ky informacion skandaloz është konfirmim i drejtpërdrejtë se BDI ka sunduar si organizatë kriminale në rrjetin e së cilës janë kapur ata që politikën e perceptojnë si mundësi për pasurim personal dhe familjar. Të nderuar, shihni pra ironinë! Kuadrot e Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit, të cilët gjatë ditës në mënyrë të rreme mbrojnë qytetarët nga lojërat e fatit, kanë përfituar pikërisht nga bizneset me kazinotë. Kryetari i degës në Bogovinë, Safet Miftari, është arrestuar për organizim kriminal të lojërave të fatit në internet, kompania familjare e deputetit Elmi Aziri ka marrë tenderë nga Lotaria Shtetërore. Mezi presim që Fronti Europian të dalë më në fund në mejdan me anëtarësinë e tyre. Na intereson shumë kur do t’u shpjegojnë se mijëra njerëz i lanë pa status profesional të zgjidhur, vetëm për t’i shantazhuar për vota para zgjedhjeve, ndërsa funksionarët e tyre grabisnin çdo gjë që u vinte në dorë. Pason përgjegjësia, drejtësia do të arrijë të gjithë ata që kanë mëkatuar para ligjeve. Do të ketë përgjegjësi; drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet”, tha Abazi.
Lajme nga vendi
MPB njofton: 4 persona janë ndaluar në kuadër të aksionit për fshehje tatimi dhe pastrim parash
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se katër persona janë ndaluar në stacion policor në kuadër të aksionit të djeshëm për fshehje tatimi, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Kreu i MPB-së, tha se bëhet fjalë për krim të përmasave epike.
“Ky është një prej lëndëve të cilat lirisht mund të them se ka dyshime të bazuara se bëhet fjalë për krim të përmasave epike, e cila fatkeqësisht është në dëm të buxhetit të Maqedonisë, gjegjësisht parave të popullit. Informatat fillestare janë se bëhet fjalë për shuma milionëshe, të cilat janë pasojë e disa veprave penale, fshehje tatimi, mashtrim tatimor dhe pastrim parash. Në interes të procedurës së plotë nuk mund të hyj më tepër në detaje”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
I pyetur nëse bëhet fjalë për kompani të lidhura me ish-funksionarë të lartë shtetërorë, ministri nuk dha detaje, duke theksuar se e respekton prezumimin e pafajësisë.
Gjatë ditës së djeshme, me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, janë kryer bastisje në Shkup, Strumicë dhe Gostivar ku sipas policisë dhe organit të akuzës janë siguruar dokumentacione. Në aksion, përveç Prokurorisë dhe MPB-së, kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Drejtorisë për të Ardhura Publike, Drejtorisë Doganore dhe Ministrisë së Financave.
Për rastin u deklarua edhe ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila tha se vetë ka marrë pjesë në zbatimin e aksionit në Strumicë, pavarësisht se nuk është praktikë që një ministër të marrë pjesë në veprime të cilat kryhen nga shërbimet profesionale të institucioneve.
“Dua të shpreh falënderim të madh deri te Drejtoria për të Ardhura Publike dhe drejtoresha Elena Petrova, dhe veçanërisht deri te kolegët nga Strumica dhe qytetet e tjera të cilët sot bashkë me mua tërë ditën pa u lodhur punuan në zbatimin e aksionit në Strumicë. Një pjesë e tyre drejtpërdrejt me mua në Strumicë, ndërkaq një pjesë edhe në qytete të tjera të Maqedonisë”, deklaroi Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministre e Financave.
Prokuroria ende nuk ka dalë me detaje për të përfshirët në këtë parahetim. Prej atje thonë se opinioni do të informohet në kohë për detajet që nuk do ta pengojnë procedurën.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve