“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.
Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 8-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016), Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon akademi solemne, ditën e sotme, në orën 19:00, në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.