Lajme nga rajoni
Radovan Karaxhiq, “Kasapi” i Bosnjës ankohet nga burgu: Nuk kam laptop, kushte ç’njerëzore
Krimineli Radovan Karaxhiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, ka paditur qeverinë britanike për trajtim ç’njerëzor pasi nuk i lejohet laptopi në qelinë e burgut.
79-vjeçari po vuan dënimin në burgun Albany, në ishullin Wight. Ai kërkon 50 mijë paunde për shkelje të të drejtave të njërit, ndërsa pretendon si është ndaluar të komunikojë në gjuhën serbe.
Me anë të një video online, ai ka paditur javën e kaluar në gjykatë Sekretaren e Shtetit për Drejtësinë, Shabana Mahmood.
Këto pretendime kanë nisur që në vitin 2021, atëherë kur ishte vajza e tij Sonja Karaxhiq-Joviçeviq, e cila akuzoi se ai ishte duke u mbajtur në burg në kushte të papërshtatshme pasi u transferua në ishullin Wight.
“Veç të tjerave, ai është duke u mbajtur në një ndërtesë plot me asbest kancerogjen, që është ndaluar në të gjithë botën. Kjo tregon qartë se si ai po trajtohet. Zhvendosja e tij në jug të Anglisë u bë me qëllim për të mbajtur larg familjes, por kjo është në shkelje të Rezolutës së Kombeve të Bashkuara”, shprehej vajza e tij për agjencinë boshnjake të lajmeve SRNA, duke shtuar se atij i kanë hequr librat dhe kompjuterin, si dhe nuk është lejuar të fliste në serbisht.
Radovan Karaxhiq u shpall fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rrethimin 44-mujor serb të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë dhe për mbikëqyrjen e një fushate të spastrimit etnik që dëboi kroatët dhe myslimanët nga zonat e pretenduara nga serbët e Bosnjës.
Duke u fshehur për më shumë se një dekadë pas luftës, ai u arrestua dhe iu dorëzua Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në korrik të 2008-ës. Në vitin 2016, Karaxhiq u shpall fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës nga gjykatësit e Tribunalit për Krimet e Luftës në Hagë.
Ish-psikiatri fillimisht u burgos për 40 vjet për urdhërimin e vrasjeve në 1995, mizoria më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjykatësit e apelit në Hagë më parë lanë në fuqi dënimet për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe e rritën dënimin e tij nga 40 vjet në burgim të përjetshëm.
Ish-udhëheqësi është një nga figurat më të larta të gjykuara nga gjykata e Hagës për krime lufte.
Çështja e tij konsiderohet si kryesore në dhënien e drejtësisë për viktimat e konfliktit, i cili la më shumë se 100,000 njerëz të vdekur dhe miliona të pastrehë.
Lajme nga rajoni
Arrestohen dhjetë persona në Greqi! Instaluan softuer në pika karburanti që tregonte më shumë karburant sesa mbushej nëpër automjete
Nga mëngjesi i sotëm, në Greqi po zhvillohet një aksion policor në më shumë rajone të vendit për shkatërrimin e një organizate kriminale që kishte instaluar një softuer të veçantë në pikat e karburantit për të dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura.
Policia greke njoftoi se deri tani janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa aksioni po zhvillohet në rajonin e Atikës (përreth Athinës), në Selanik, Tesali, si dhe në Greqinë qendrore, veriore dhe verilindore.
“Anëtarët e organizatës, me softuer të paligjshëm të instaluar në pikat e karburantit, mashtronin qytetarët duke u dhënë sasi më të vogla karburanti se ato të shfaqura”, informoi policia.
Aksione të ngjashme për zbulimin e organizatave kriminale që, përmes softuerit të veçantë, në thelb “vidhnin” karburant nga qytetarët, janë zhvilluar edhe gjatë vitit të kaluar.
Në mars u arrestuan mbi 55 persona, anëtarë të dy organizatave kriminale, dhe u zbulua se softueri ishte instaluar në mbi 50 pika karburanti në gjithë Greqinë, ndërsa dy muaj më vonë u mbyllën pesë pika karburanti në Selanik dhe Athinë.
Lajme nga rajoni
Në Zvicër nis gjyqi ndaj imamit biznesmen nga Kosova! Dyshohet për mashtrim, pastrim parash dhe evazion fiskal
Në Dietikon të Zvicrës ka nisur një proces gjyqësor, ku i akuzuar kryesor është një imam dhe biznesmen kosovar 57-vjeçar nga Aargau, i dyshuar për një sërë veprash të rënda ekonomike.
Sipas 20min.ch, aktakuza prej mbi 200 faqesh përfshin gjithsej 20 pika, mes tyre mashtrim, shpërdorim detyre, pastrim parash, evazion fiskal, falsifikim dokumentesh dhe jo vetëm.
Dhe sipas prokurorisë, dëmi financiar arrin në disa milionë franga.
Siç theksohet më tej, i pandehuri nuk u paraqit në seancë, duke deklaruar se ndodhet në një klinikë psikiatrike dhe është i paaftë për t’u marrë në pyetje, çka detyroi gjykatën të urdhërojë një kontroll mjekësor zyrtar.
Të pandehurit janë një drejtor menaxhues dhe imam 57-vjeçar kosovar, ish-gruaja e tij (51), vajza e tij (27), tre djemtë e tij të moshës 27 dhe 35 vjeç, dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë – gjithsej tetë persona.
Siç shkruan 20min.ch, ai u prezantohet gati 4500 ndjekësve të tij si një imam i devotshëm, ndërsa zyra e prokurorit publik e konsideron atë “një kriminel ekonomik”.
Prokuroria pretendon se përmes kompanive ndërtimore dhe firmave fiktive janë përfituar kredi bankare për shpenzime private dhe janë futur qëllimisht kompani në falimentim.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka deklaruar paga fiktive për familjarët, për të siguruar leje qëndrimi.
Prokuroria kërkon për të një dënim prej 7.5 vitesh burg dhe dëbim nga Zvicra për 15 vjet, ndërsa për të tjerët parashikohen dënime më të lehta.
Vendimi përfundimtar pritet në fund të muajit janar./20min.ch
Lajme nga rajoni
Vuçiq: Nuk arritët vitin e kaluar të më rrëzonit nga pushteti, unë nuk jam Sllobodan Millosheviç
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video postim në Instagram dërgoi një mesazh duke theksuar se, siç thotë ai, “Liria është gjëja më e rëndësishme për një serb”
“Bëtë gjithçka vitin e kaluar për të më rrëzuar nga pushteti, me shumë faktorë të tjerë të jashtëm, miliarda euro të investuara, nuk ia arritët. Unë nuk jam Slobodan Millosheviç, as nuk jam naiv apo budalla që t’ju besoj”, tha Vuçiq.

