Ministria e Punëve të Brendshme informon se gjatë tërë ditës po ndërmerren masa dhe aktivitete për kapjen e autorëve të cilët kryen vrasje në parkingun përballë “Mavrovkës”, dhe do të vazhdojë gjatë gjithë mbrëmjes.
Menjëherë pas marrjes së denoncimit për të shtëna në afërsi të qendrës tregtare, ku V.E (59) u qëllua dhe vdiq në vendngjarje, nga policia u ndërmorën menjëherë një sërë masash dhe veprimesh taktike për gjetjen dhe kapjen e autorëve thonë nga Ministria e Brendshme.
Për këtë qëllim janë kryer kontrolle në disa lokacione dhe automjete, si dhe janë angazhuar njësiti special, helikopterë dhe dronë.
“Janë ndaluar dy persona për të cilët dyshohet se janë autorë të vrasjes dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të paraqiten para gjyqtarit për procedurë paraprake”, thonë nga MPB-ja.
Nga këtu njoftojnë se po merren masa për gjetjen e të dyshuarit të tretë, përkatësisht për zbardhjen e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë Publike të Shkupit.
SPB Shkup gjatë ditës me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake ka kryer kontrolle në katër lokacione ku ka indikacione se personat e përfshirë në veprën kanë qëndruar. Gjatë ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve u gjet një sasi e mjaftueshme e provave materiale. SPB Shkup sonte po ndërmerr një sërë masash taktike operative me qëllim të kapjes edhe të dyshuarit të tretë. Pas zbardhjes së plotë të rastit, Ministria e Brendshme do të informojë opinionin.