Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot e vizitoi Kryqin e Kuq në Shkup, me rastin e promovimit të partneritetit të tyre në lidhje me transportin sanitar.
Në deklaratën për media Taravari tha se sot në Ditën ndërkombëtare të humanizmit po promovojnë një projekt të titulluar “Të veprojmë në mënyrë njerëzore”.
“Bëhet fjalë për promovimin e katër automjeteve që do të jenë gati në çdo moment për të ndihmuar personat e sëmurë, të moshuarit, të pamundurit, ato me nevoja të veçanta të cilët nuk mund të angazhojnë dikë nga familja apo një person të afërt për t’i çuar në kryerjen e detyrave të caktuara”, tha ministri, duke bërë të ditur edhe projektin “Butoni i urgjencës” i planifikuar të funksionojë 24/7 për të gjithë këta pacientë.
Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit tha se projekti është duke u zbatuar për tre vjet në kryeqytetin e vendit ku nga sot Ministria e Shëndetësisë bëhet partnere, ndërsa po shqyrtohet mundësia e zgjerimit edhe në qytete të tjera.
“Transporti sanitar është shfaqur si një domosdoshmëri për të moshuarit, të pamundurit dhe personat me nevoja të veçanta, shumica e të cilëve janë vetëm në shtëpi dhe nuk kanë familje. Këtë transport e nisëm në një fazë pilot me mbështetjen e Kryqit të Kuq austriak dhe tashmë po hyjmë në një fazë ku besojmë se ky projekt duhet të kthehet në një shërbim social, një shërbim i rregullt që do të jetë në vendin tonë. Pikërisht për këtë po e bëjmë sot me Ministrinë e Shëndetësisë, që ta njohin si krah të zgjatur të Shërbimit të ambulancës. Prandaj, ndihma e shpejtë është më shumë për gjendje të rrezikshme për jetën, ndërsa transporti ynë mjekësor është ekskluzivisht për transportin e njerëzve në zonën e kontrollit, ekzaminimit mjekësor, ndërrimit të gipsit, kateterit, kontrollit… Transporti mjekësor është ekskluzivisht për mbështetjen e njerëzve që nuk mund të përballojnë vetë gjendjen shëndetësore”, tha ajo në deklaratën për MIA-n.
“Jemi në dispozicion 24/7 në telefonin 15-300 dhe qytetarët mund të caktojnë transportin e tyre këtu, duke ditur saktësisht se në çfarë ore vijnë ekipet tona e marrin pacientin, pastaj e dërgojnë dhe e kthejnë. Për momentin është vetëm në Shkup. Nëse rezulton të jetë një nevojë e madhe edhe në qytetet e tjera të mëdha, jemi në proces promovimi me vetëqeverisjen lokale. Për momentin, përveç që nga sot Ministria e Shëndetësisë po bëhet partneri ynë, ne kemi punuar dhe po e bëjmë këtë me mbështetjen e vetëqeverisjes lokale”, shtoi Tuneva Paunovska.