SHKA “Xheladin Zeqiri” nga Tetova mbrëmë performoi me një repertoar të pasur në Festivalin italian të 27 folklorik në Cantavunturo të Sicilisë.
Festivalin e nderoi me praninë e tij edhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
“Sonte isha prezent në natën finale të festivalit të 27 folklorik në Kaltavuturo të Sicilisë, ku SHKA “Xheladin Zeqiri” po përfaqëson me dinjitet kulturën tonë të pasur tetovare në arenën ndërkombëtare.
Performanca e djemve dhe vajzave të Tetovës ishte e shkëlqyer dhe u mirëprit me entuziazëm nga qytetarët e Kaltavuturos të Sicilisë.
Bravo djem dhe vajza, na e zbardhët fytyrën! Vetëm përpara drejt afirmimit të këngës dhe valleve të Tetovës nëpër botë!”, theksoi Kasami përmes një porosie në rrjetet sociale.
Nga SHKA “Xheladin Zeqiri” faleminderuan kryetarin e komunës, Bilall Kasami, që mundësoi prezencën e tyre në këtë festival.
“Falemnderojmë kryetarin e komunës së Tetovës z. Bilall Kasami, i cili na respektoi me prezencën e tij dhe në të njejtën kohë na mundësoi të marrim pjesë në festivalin e Cantavunturo për të promovuar vlerat tona artistike në arenën ndërkombëtare Nesër vazhdojmë në folenë e vëllezërve tonë nga gjaku, arbërshët e Sicilisë”, theksuan nga shoqëri kulturore artistike tetovare.
Kasami po qëndron në mesin e arbëreshëve me ftesë të Rosario Petta, kryetari Bashkisë Horra e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi). e njohur si, komuna arbëreshe në Itali.
Kjo vizitë vjen si rezultat i përpjekjeve për afrim me arbëreshët e Italisë, si një komunitet i rëndësishëm në këtë vend mik.
Vizita do të fokusohet në bashkëpunimin kulturor, arsimor, turizëm, shkëmbime ekonomike, të studentëve, etj. Poashtu do të përcaktohen edhe pikat e bashkëpunimit në të ardhmen.