Në objektin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës po qëndron trupi i Faton Hajrizit, i cili në orët e vona mbrëmë u soll nga Serbia përmes pikës kufitare në Serbi.
Trupi i pajetë i Faton Hajrizit parashihet të qëndrojë edhe për disa ditë të tjera, deri në përfundim të ekzaminimeve të nevojshme.
E në po të njëjtin vend tashmë janë edhe familjarët e Faton Hajrizit.
Pas një bisede që nëna e tij pati me Arsim Gërxhaliun nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe pas disa hyrje-daljeve të avokatit Arianit Koci brenda objektit, tashmë i është mundësuar edhe nënës së tij që të shohë nga afër trupin e pajetë të djalit.
Nëna bashkë me një burrë tjetër, që me gjasë mund të jetë babai i Faton Hajrizit, kanë hyrë brenda, ku edhe gjendet trupi i pajetë.
Duhet theksuar se trupi i pajetë i tij arriti në Kosovë pas disa kërkesave të njëpasnjëshme të autoriteteve të Kosovës, si dhe pas ekzaminimeve që ata kërkuan e u dorëzuan përmes avokatit Arianit Koci.
Faton Hajrizi u vra më 19 korrik nga autoritetet serbe, pasi sipas tyre refuzoi të dorëzohej. Hajrizi ishte i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor serb dhe plagosjen e një tjetri.
Hajrizi arriti të arratiset nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë më 6 korrik, për të nëntë herë radhazi.
Çështja e Hajrizit do të hetohet në vazhdim, e sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kjo do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme.