Është konfirmuar rasti i parë në Kosovë me virusin “Ethet e Nilit”.
Kështu ka konfirmuar Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, i cili nuk dha shume detaje për këtë rast.
“E kemi një rast ama nuk është diçka shqetësuese. Është një rast që e kemi konfirmuar me virusin VNP”, i tha Vishaj lajmi.net.
Ndërkaq Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje infektive që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili përhapet kryesisht përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara.
Ky virus në Shqipëri është rikthyer pas 13 viteve dhe deri më tani bilanci i të vdekurve ka shkuar në tre persona.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri për shkak të përhapjes së virusit të “Nilit Perëndimor”.
Madje nga kjo Ministri kanë treguar edhe simptomat që shfaqen në rast të infektimit me “Ethet e Nilit”.
Duhet përkujtuar që viruse të ngjashme kanë ndikim tejet të madh në gjithë vendin. E ngjashme ishte edhe situata e virusit COVID-19 që si fillim ishte përhapur si një virus i thjesht, por më pas u aktivizua në një pandemi tejet shqetësuese e të rrezikshme për gjithë botën.
Në lidhje me virusin e njohur si “Ethet e Nilit”, lajmi.net ka kontaktuar edhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, por këta të fundit nuk janë përgjigjur për të dhënë detaje shtesë.
Simptomat:
80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma fare.
20% e rasteve shfaqin simptoma të lehta deri mesatare, të ngjashme me gripin, si:
Ethe,Dhimbje koke,Lodhje,Dhimbje trupi,Dhimbje të kyçeve,Vjellje,Dhimbje në sy
Rrash (skuqje e lëkurës) Rreth 1% e rasteve zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, që mund të përfshijnë: Encefalit (inflamacion i trurit) Meningjit (inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore) Paralizë
Disa raste mund të jenë fatale, sidomos tek personat e moshuar apo ata me sistem imunitar të dobësuar.
Parandalimi i sëmundjes përfshin shmangien e pickimeve nga mushkonjat përmes përdorimit të repelentëve, mbajtjes së rrobave mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku mushkonjat mund të shumohen (ujëra të ndenjur).
Ethet e Nilit Perëndimor janë të zakonshme në rajone të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut.