Ribalanci i buxhetit e kaloi Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet, pas çka duhet të marrë mbështetje në seancë plenare, e cila mund të zgjasë më së shumti tri ditë. Debati i përgjithshëm në Komision për ribalancin zgjati tri ditë, ndërsa ai për amandamentet përfundoi dje.
Për ribalancin deputetët parashtruan gjithsej 58 amandamente, një pjesë të tyre i tërhoqën, të tjerët ishin refuzuar. U pranuan vetëm dy amandamente – për pagesë të administratorëve dhe për reklamim politik të cilët ishin përfshirë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti, të cilët i parashtruan deputetët Bojan Stojanoski dhe Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE pak para përfundimit të seancës.
Stojanoski me amandamentin kërkoi 318 milionë denarë për administratën e zgjedhjeve, ndërsa Stojanoska 32,169 milionë denarë për reklamim të paguar politik.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski tha se dy amandamente janë të pranueshme, sepse, sqaroi, bëhet fjalë për pagesë të detyrimeve ligjore.
Sipas deputetëve të Frontit Evropian ribalanci i buxhetit është jolegjitim, joreal, selektues dhe populist, për çka paralajmëruan se nuk do ta mbështesin.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së planifikon që ribalanci i buxhetit për vitin 2024 të miratohet në javën e dytë të gushtit, pas çka, siç thotë deputeti Boban Stojanovski, do të fillojë konsolidimi i situatave të gjetura.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrovska – Koçoska duke e sqaruar ribalancin e Komisionit në kuvend, theksoi se është krijuar në bazë të gjendjes së gjetur në Buxhet. Siç tha Dimitrievska – Koçoska, janë siguruar mjete për gjithçka që duhet të paguhet në bazë të ligjit.
Me Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2024 të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 318,2 miliardë denarë, shpenzimet në 362,8 miliardë denarë. Rritja e PBB-së është projektuar në 2,1 për qind, inflacioni në nivel prej 3,5 për qind, ndërsa deficiti i buxhetit në 4,9 për qind.