Lajme nga vendi
Deputetët e partisë E majta kanë dorëzuar interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Gashi
Grupi parlamentar i partisë E majta sot në Parlament dorëzoi interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi për shkak se “po vendos politika joparimore në Kuvend”.
Bazohet në shtatë pika, të sqaruara në dhjetë faqe. Kryetari i partisë E majta, Dimitar Apasiev në konferencë për media tha se pret që kryetari i Kuvendit, Gashi, ta vendosë në rend dite në seancë pas pushimit veror, gjegjësisht në fillim të shtatorit, në mbledhjen e parë të ardhshme pasi të kalojnë 10 ditë pune.
Dy pikat e para kanë të bëjnë me shkeljen e laicitetit të shtetit me lutjen grupore në Kuvend të cilën e ka bërë Gashi dhe shkeljen e rregullave diplomatike për sigurimin e personaliteteve VIP me incidentin në Aeroportin e Shkupit para pesë ditëve në të cilën mori pjesë shefi i sigurimit të Gashit.
Lidhur me lutjen grupore Apasievi tha se është “diçka pa precedent në historinë e Kuvendit maqedonas”, është shkelur neni 19 dhe amandamenti 7 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, është shkelur praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe ligji i veçantë për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz.
“Baza e dytë mbi të cilën parashtrojmë interpelancën është shkelje e rregullave diplomatike për sigurimin e personaliteteve VIP, ndërsa ai është rasti aktual kur shefi i sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë ka marrë pjesë në një skandal praktikisht diplomatik në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup dhe kryeparlamentari Gashi pranoi publikisht se ai personalisht ka dhënë urdhër për ndërhyrjen e tij në një zonë të palejuar”, tha Apasiev.
Arsyet e kërkesës për shkarkimin e Gashit nga funksioni i tij, sipas partisë E majta, janë edhe shkelje e përdorimit të gjuhës maqedonase sepse Gashi, siç tha Apasievi, “me vetëdije e shtyp gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik dhe fut dygjuhësi të paligjshme edhe për deputetët të cilët janë maqedonas”, pastaj shkelje e rregullave për përdorimin e shenjave shtetërore me faktin se në sallën plenare, në kundërshtim me ligjin, “ilegalisht qëndrojnë dy flamuj të tjerë, d.m.th. flamuri i NATO-s dhe flamuri i BE-së ku ne nuk jemi ende anëtarë”.
Është shkelur, tha, edhe parimi i papajtueshmërisë së funksioneve, gjegjësisht i bëjnë thirrje për përgjegjësi politike Gashit sepse nuk ka konstatuar ndërprerje të mandatit të deputetit të sapozgjedhur Talat Xhaferi “i cili ilegalisht i kryente funksionet kryeministër dhe deputet”.
“Baza e gjashtë është shkelje e dispozitave ligjore dhe etike për antinepotizmin. Besojmë se me faktin që bashkëshortja e Gashit ka udhëtuar me të në Uashington është shkelur Ligji për Parandalimin e Korrupsionit dhe është bërë shkelje e rëndë disiplinore e kodit të etikës për deputetët…dhe baza e fundit është shkelje e një serie të dispozitave procedurale për punën normale të deputetëve për shkak se nuk respektohen afatet imperative për caktimin e seancave, sepse praktika e keqe e ligjeve të kontrabandës me procedura të shkurtuara vazhdon dhe për shkak se nuk janë siguruar një sërë garancish operacionale për funksionimin normal të deputetëve”, njoftoi Apasiev.
Lideri i partisë E majta tha se pret që deputetët ta votojnë interpelancën e tyre për punën e Gashit me atë që do ta thirrnin në përgjegjësi politike.
“Edhe një herë e themi thirrjen tonë publike ndaj DPMNE-së se qëndrojmë në dispozicion për zgjedhjen e njeriut të ri nga grupi i tyre parlamentar, mbështetje blanko, vetëm që të ndërrohet spikeri Gashi i cili vendos politika joparimore në Kuvend”, tha Apasiev.koha.mk
Lajme nga vendi
Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi
Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se trafiku në vend po zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata.
Trafiku jashtë mjediseve urbane po zhvillohet me intensitet mesatar.
“Në vendkalimet kufitare nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi”, thonë nga LAMM. Nga atje u bëjnë thirrje shoferëve që të kenë kujdes me shpejtësinë e automjeteve, veçanërisht nëpër luginat e vendit ku mund të ketë rrëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
“Në gjobë do të ketë edhe foto”, Iseni: Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon
“Në gjobë do të ketë edhe foto. Do të shihet nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka qenë duke folur në telefon”, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme Astrit Iseni .
Iseni mes tjerash theksoi se qëllimi nuk është të gjobiten qytetarët, por siç shtoi, të rritet vetëdija nga pakujdesia.
Lajme nga vendi
Filloi testimi i kamerave të ‘Qytetit të Sigurt’, policia me apel
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”, në periudhën nga 20.01 (e martë) deri më 31.01 (e shtunë) do të bëhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve (kamerave) të vendosura për mbikëqyrjen e qarkullimit, transmeton Portalb.mk.
Testimet do të realizohen çdo ditë në periudhën nga ora 08:00 deri në orën 20:00.
“Gjatë zbatimit të këtyre aktiviteteve, automjetet në lokacionet ku bëhet testimi nuk do të lejohet të kalojnë gjersa zgjat procedura. Në javën e parë të periudhës së planifikuar, aktivitetet do të kryhen ekskluzivisht në lokacionet me kamerat e vendosura në zonën e qytetit të Shkupit”, informoi MPB.
Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të pandërprerë dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Ishte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.
Synimi është që deri në vitin 2030 të zvogëlohet dhe të përgjysmohet numri i aksidenteve në trafik.
Zbatimi i projektit “Qyteti i sigurt”, i cili në fazën e parë, përveç në Shkup, do të zbatohet edhe në Tetovë dhe Kumanovë.

