Site icon Tetova Expres

Caktohet në Shkup vendi për grumbullimin e ndihmave humanitare për familjet e prekura nga zjarret

Nga sot në Shkup do të hapet pikë humanitare ku do të bëhet grumbullimi i të mirave materiale për qytetarët e prekur nga zjarret në Maqedoninë Lindore. Qytetarët do të mund të sjellin ushqime të konservuara, veshje, atlete, mobilje, dyshekë dhe të mira të tjera materiale, të cilat më pas do të çohen në rreth 30 fshatra me rreth 400 amvisëri. Pika do të jetë pranë “East Gate Mall”, në afërsi të ndërmarrjes komunale.

Aksioni koordinohet nga Koalicioni i udhëhequr nga “Akcione humanitare.mk”, Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë KSOM dhe IPO Organizata Ndërkombëtare e Policisë.

Aksioni humanitar do të zgjasë disa ditë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, shtëpitë e të cilëve janë djegur në Maqedoninë Lindore. Qytetarët do të mund të dhurojnë dyer dhe dritare, gjë që është planifikuar për fazën e dytë të aksionit.

Sipas organizatorëve, ka pasur një fushatë të madhe në Fejsbuk për hapjen e pikës humanitare. Ata tashmë i kanë mbledhur barnat dhe shpresojnë që pas katër deri në pesë ditë të gjithë të koordinohen me automobila dhe furgona për t’i çuar te familjet.

Ata ftojnë të gjithë qytetarët të vijnë me donacionet e tyre, të cilat më pas do t’u dërgohen familjeve të rrezikuara nga zjarret.

Advertisement
Exit mobile version