Lajme nga vendi
RMV, është hapur lëndë pas ndërprerjes së rrymës në hapësirat e IShP-së ku ruhen reagentët për testimin e sëmundjeve infektive dhe joinfektive
Pas informacionit në opinion se dje në Institutin e Shëndetit Publik është ndërprerë qëllimisht furnizimi me energji elektrike i odave në të cilat mbahen reagentët për testimin e sëmundjeve infektive dhe joinfektive, Prokuroria Publike krijoi me urgjencë lëndë pas zërave të ngritur për të shqyrtuar nëse në rastin konkret ka shenja të një vepre penale, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të seriozitetit të pasojave të mundshme të dëmshme në shëndetin e njerëzve që mund të shkaktohen nga një veprim i tillë, si dhe për shkak të mundësisë që bëhet fjalë për vepër penale kundër shtetit si diversion apo sabotim, prokurorët publikë në detyrë nga Prokuroria Themelore Publike Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion, së bashku me hetuesit nga qendrat hetimore të Prokurorisë kanë dalë në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet hetimore”, njoftojnë nga Prokuroria.
Mblidhet dokumentacioni, zhvillohen biseda me persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe bëhen të gjitha kontrollet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet për rezultatin e veprimeve të ndërmarra.
Edhe MPB-ja ka dalë me detaje për kaosin që ka ndodhur dje në Institutin e Shëndetit Publike kur janë shkëputur nga rryma frigoriferët që ruajnë reagentët për mbarë Maqedoninë.
“Dje rreth orës 17:00 në SPB Shkup nga Instituti i Shëndetit Publik është raportuar se në periudhën kohore nga ora 14:30 deri në ora 16:00 një punonjës i ka fikur të gjitha shkrehëset e dhomave ku janë mbajtur reagentët për testimin e sëmundjeve infektive dhe joinfektive janë mbajtur”, tha Ministria e Punëve të Brendshme.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë policorë nga SPB Shkup dhe po merren masa për zbardhjen e rastit, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Dje është krijuar kaos në departamentin e bakteriologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, mësoi “Sloboden Peçat” nga burimet e tij që ishin të pranishme në Institut. Policia u përfshi dhe u njoftua Prokuroria, pasi higjenistja vërejti se dhoma e madhe me frigoriferë në të cilën ruhen reagentë për analiza të shumta mikrobiologjike të sëmundjeve infektive dhe joinfektive – nuk funksionon, pra frigoriferët janë të fikur. Kur punonjësit kanë shkuar te siguresat bashkë me menaxhmentin, kanë vënë re se janë ulur vetëm ato të lidhura me frigoriferët në të cilët ruhen reagentët, pra është tentuar të fiket e gjithë dhoma. Vetëm ato siguresa me ndihmën e të cilave kontrollohej temperatura në frigoriferë – ishin të shkyçura. Pranë kësaj pjese të Institutit nuk ka kamera.
Menjëherë është thirrur policia e krimeve dhe është njoftuar prokuroria. Për shkak të zbulimit në kohë të ngjarjes, shumë reagentë janë penguar të dështojnë, pra të jenë joefektiv për shkak të mosrespektimit të temperaturës së nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.
Në frigoriferë, siç raporton “Sloboden Peçat”, ka pasur reagentë për kollën e mirë, për kulturën e urinës, reagentë që përdoren për analizat që porositen nga spitalet e shumta në Institutin e Shëndetit Publik për pacientët e tyre, dhe i referohen të gjitha infeksioneve dhe sëmundjet jo infektive.
Lajme nga vendi
VËRSHIME NË STRIMNICË TË ZHELINËS SHTËPITË DHE TOKAT BUJQËSORE PËRMBYTEN NGA LUMI VARDAR
Fshati Strimnicë në Komunën e Zhelinës është përmbytur nga uji, pasi që u rit niveli i ujit në Lumin Vardar, që kalon në mes të këtij fshati. Përveç që janë përball me vërshime, një pjesë e fshatit, ka mbetur edhe pa energji elektrike. Banori i fshatit Strimnicë, Bujamin Rustemi thotë se kjo është e katërta herë që uji i ka vërshuar shtëpitë e tyre. Ai u bën thirrje institucioneve që të vijnë të marrin masa konkrete, gjegjësisht, ta pastrojnë shtratin e lumit Vardar që të mos përsëritet e njëjta gjë.
Bujamin Rustemi – Banor i fshatit Strimnicë
“Disave u është futur nëpër shtëpi uji, i ka dëmtuar. Siç e shihni edhe vetë ju, nuk ndalet ky ujë. Është e treta apo e katërta herë që vërshon uji vetëm këtë vit. Duhet institucionet të marrin masa, të pastrohet lumi Vardar të mos rrij kështu sepse ky ujë ua ka përmbyt njërëzve shtëpitë, i ka dëmtuar, ja të gjitha këto shtëpi që i sheh. Nuk është në rregull kjo punë. Ka disa njerëz që nuk lejojnë të pastrohet Vardari. Shteti duhet të merr masa që të vijnë makinat në pranverë dhe ta pastrojnë. Vijnë bëjnë premtime por nuk është pastruar”.
Drejtori i NPK-së Zhelinë Suad Alili thotë se pastrimi i lumit është kompetencë e Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së Ujërave, dhe i njëjti bën apel që institucionet qëndrore të marrin masa.
Suad Alili – Drejtor i NPK-së Zhelinë
“Kjo nuk është në kompetencë të komunës, por ne kemi qenë afër qytetarëve me ato mundësi që i kemi ne. Kjo bie në komptencë të Ministrisë së Ekologjisë dhe Drejtorisë së ujërave, por edhe të ELEM që i ka hidrocentralet e veta. Këtu duhet të merren masa nga institucionet qëndrore pasi që për lumin Vardar komptencat nuk bien vetëm mbi komunën. Tokat nuk diskutohet, shumë kanë dëme të mëdha kjo pjesa këtu. Me kalimin e kohës deri në muajin korrik duhet të rregullohet kjo çështje për shkak se është një problematikë disa vjeçpare. Prej vitit 2010 kur lumi rrit nivelin ne kemi probleme në këtë pjesë. Tani duhet të marrim masa që të mos na përsëritet kjo, qytetarët të flejnë të qetë. Për shkak se 50 shtëpi tani e dy ditë janë edhe pa energji elektrike.
Komandanti i zjarrëfikësve Avni Ameti thotë se në fshatin Strimnicë situata ka qenë aq alarmante sa që është dashur intervenimi i tyre për të evakouar një familje nga shtëpitë.
Avni Ameti – Komandant i NJTKZ
“Zjarrëfikësit e Tetovës evakouan një familje e cile ishte ngujuar. Ka 18 shtëpi që janë të palëvizshme në fshatin Strimnicë si pasojë e daljes nga shtratit të lumit Vardar”.
Përndryshe, në rajonin e Tetovës dëme të mëdha nga përmbytjet pati edhe në zonën e Treboshit, ku u dëmtua rruga dhe tokat bujqësore, në fshatin Shëmshovë, Xhepçisht si dhe rëshqitje të dheut.
Lajme nga vendi
VLEN: BDI t’i kërkojë SPAK-ut të Shqipërisë ekstradimin e Grubit
Nisma e Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair për krijimin e një “SPAK-u” lokal kundër korrupsionit ka nxitur reagime nga Koalicioni VLEN.
Nga VLEN-i thonë se iniciativa duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm deklarative, duke e cilësuar si përpjekje propagandistike.
Sipas tyre, nëse synohet vërtet transparencë dhe përgjegjësi, hetimet duhet të nisin nga vetë drejtuesit e BDI-së, për të dëshmuar se bëhet fjalë për proces serioz dhe të paanshëm ndaj të gjithë zyrtarëve, pa përjashtim.
“BDI në Çair shpall me bujë formimin e një “SPAK-u” lokal, sikur të kishte zbuluar “Amerikën”. Por, pyetja që lind menjëherë është: a do ta kapë ky SPAK edhe kryesinë e vet? Apo është vetëm një teatër i radhës për të mashtruar qytetarët? VLEN-i e përshëndet këtë “SPAK” të BDI-së dhe i sugjeron që, nëse vërtet është për veprim dhe jo për spektakël, të fillojë hetimet pikërisht nga këta emra. Punën e parë që duhet ta bëjë është të vendosë komunikim me SPAK-un e Shqipërisë dhe të kërkojë ekstradimin e Artan Grubit.”, – thanë nga Koalicioni VLEN.
Ditë më parë, Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair themeloi një “SPAK” lokal si mekanizëm kundër korrupsionit. Sipas njoftimit, kjo strukturë do të monitorojë ndërtimet pa leje dhe punën e organeve komunale për shkelje urbanistike.
BDI u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo keqpërdorim të pushtetit. (Armend Murseli, TVM2)
Lajme nga vendi
Dega e BDI-së në Çair ka themeluar një strukturë kundër korrupsionit me emrin “SPAK”
Duke huazuar emrin e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë që ndjek krimin dhe korrupsionin e nivelit të lartë, dega e BDI-së në Çair ka themeluar një Sekretariat, akronimi i të cilit është i njëjtë me atë të Prokurorisë – SPAK.
“SPAK do të funksionojë si mekanizëm profesional monitorimi, i përbërë nga ekspertë vullnetarë – juristë, ekonomistë, urbanistë dhe profesionistë të fushave përkatëse – të cilët do të analizojnë çdo indikacion për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike”, deklaroi Enard Bakiu, BDI – Çair.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i koalicionit VLEN të cilët kërkojnë që SPAKU i BDI-së të kërkojë nga SPAKU i Shqipërisë ta ekstradojë Artan Grubin, funksionarin e BDI-së i cili pasi u fut në listë të Zezë u arratis nga shteti, ndërsa dyshimet janë se fshihet në Shqipëri. Plotësisht kërkojnë të hetohen dhe figura tjera të BDI-së.
“Korrupsioni nuk është thjesht ndërtim pa leje apo tender komunal. Ai ka fytyra të njohura: Faton Ahmeti, për dyshimet e keqpërdorimit të fondeve në FSSH, Arbër Ademi, si ministër i Arsimit me lëndë të hapura për abuzime, Bujar Osmani, për rastin famëkeq “Pacienti”, dhe shumë të tjerë që sot ulen në kryesinë e BDI-së si të paprekshëm”, thonë nga VLEN.
SPAKU i BDI-së, është ironizuar edhe për faktin që në periudhën e kaluar ishte në shënjestër të kritikave pasi dy funksionarët e saj Artan Grubi dhe Ramiz Merko u futën në Listë të Zezë për korrupsion, ndërsa u dorëzuan padi edhe kundër një sërë funksionarëve, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Fatmir Deharin, Ramiz Merkon, Bujar Dardhishtën, Kreshnik Bekteshin, Bekim Maksutin, Ejup Rustemin e të tjerë. Mekanizmi SPAK, mbase duket si ide e huazuar nga LSDM, e cila e promovoi Qendrën Hulumtuese për Korrupsion dhe Krim të Organizuar me akronimin MICKO, një shkurtesë që përdoret në komunikimin jokonvencional dhe ironizues për Mickoskin. /Alsat.mk

