Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot u takua me Veronik Ulman Marti, ambasadoren e Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ministri Murtezani falënderoi për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme zhvillimore nga Zvicra për Maqedoninë e Veriut, që lidhet ngushtë me proceset reformuese dhe harmonizimin e standardeve me Bashkimin Evropian, përforcimin e institucioneve, zhvillimin e balancuar rajonal dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë afatgjatë në kuadër të programit zhvillimor zviceran, i cili reflektohet edhe në Strategjinë për Maqedoninë e Veriut për periudhën 2021-2024, me të cilin parashihen 65 milionë franga zvicerane për sferat e caktuara tematike prioritare.
Falënderim i veçantë u shpreh edhe për mbështetjen financiare nga Zvicra për projektin “Përkrahje për Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE”, financuar nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim ndërkombëtar zhvillimor (SIDA), ndërkaq implementuar nga UNOPS Shkup.
Murtezani dhe Ulman Marti i konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, të cilat këtë vit shënojnë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës. Në takim u shpreh kënaqësia e ndërsjellë lidhur me komunikimin e shkëlqyer në nivel politik dhe ekonomik, duke konfirmuar angazhimin për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik dhe bashkëpunimit të përgjithshëm.