Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi në mesditë shuarjen edhe të zjarrit të fundit, atij në afërsi të Tazhevë të Komunës së Makedonski Brodit, pranë Ndërmarrjes Publike “Jasen”, i cili kishte mbetur i vetmi zjarr aktiv në 24 orët e fundit. Falë shiut lokal dhe uljes së temperaturave, por mbi të gjitha angazhimit në masë të punonjësve të të gjithë institucioneve, përfshi edhe dy helikopterët e policisë, zjarri më në fund u vendos nën kontroll.
“Për momentin nuk ka flakë” – njoftuan nga Qendra për Menaxhimin e Krizave, duke numëruar 40 pjesëtarë të ushtrisë, 30 nga forcat speciale të MPB-së, 10 zjarrfikës dhe mjetet logjistike mbështetëse. Ditët e fundit, në ambient të hapur ishin aktive gjithsej 18 zjarre, nga të cilat zjarri në Makedonski Brod zgjati më shumë ditë dhe ishte më i vështiri për t’u vendosur nën kontroll.