Site icon Tetova Expres

Avokati Koci arrin në Serbi, e gjen vendin ku dyshohet se ndodhet trupi i Faton Hajrizit

Avokati Arianit Koci, i cili është autorizuar nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit të të ndjerit nga Serbia, ka bërë të ditur se ka hyrë në territorin serb.

Koci në një prononcim për gazetën online Reporteri.net ka bërë të ditur se ka gjetur vendin ku ndodhet kufoma e të ndjerit.

“E kam gjetur vendin ku eshte kufoma e te ndjerit Faton! Me shume nuk mund te ndaj informata me publikun”, ka thënë Koci për Reporteri.net.

Avokati Arianit Koci të martën për gazetën online Reporteri.net ka bërë të ditur është autorizuar nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit të të ndjerit nga Serbia.

Koci tha se ka takuar nënën e Faton Hajrizit, e cila sipas tij i ka dhënë autorizimin, dhe menjëherë kanë filluar kontaktet me autoritetet në Beograd.

Advertisement

Gjatë ditës së djeshme, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka thënë se nuk ka asnjë garancë se personi që është vrarë në Serbi të premten është Faton Hajrizi.

Në një konferencë për media, Gërvalla ka thënë se deri më tash kanë pranuar shenjat e gishtërinjve, të cilat pas verifikimit janë përputhur me ato të Faton Hajrizit, të arratisurit nga burgu i Smrekonicës.

“Nuk kemi asnjë garancë që bëhet fjalë as për personin e vrarë, e as për ndonjë prej pretendimeve tjera. Deri tash çdo gjë që ka ndodhur në Serbi është në mjegull. S’mund t’u themi qytetarëve se kemi informata të sakta, nuk fshehim asnjë informacion. Kjo është gjendje. Nuk dua të paragjykojë asgjë që ka ndodhur në Serbi, pasi jam shumë e sigurt se nuk e dimë të gjithë të vërtetën. Të presim se si do të rrjedhë. I kemi bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike, përfshirë edhe Zyrës së BE-së në Beograd që të ndihmojë në sqarimin e kësaj çështje dhe zbardhjen e të vërtetës”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka shtuar se duhet të jemi të kujdesshëm me cilat informacione po shërbehemi dhe cilat po na servohen.

“Natyrisht që avokati i familjes do të ketë mbështetjen institucionale jo vetëm në Kosovë por edhe me misionin tonë që kemi në Beograd”, ka thënë Gërvalla, duke shtuar se është e rëndësishme të dimë të vërtetën e asaj që ka ndodhur.

Advertisement

Hajrizi, që ishte arratisur nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë më 6 korrik, u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Loznicë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 22 korrik bëri të ditur se kanë konfirmuar identitetin e Hajrizit nga shenjat e gishtërinjve të dërguara nga autoritetet serbe përmes Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor (ILECU) në kuadër të Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë. /Reporteri.net/

Exit mobile version