Olsi Ibro, njëri prej të akuzuarve për skandalin me mikrokreditë është hedhur nga pallati duke i dhënë fund jetës.
Kjo ngjarje vjen vetëm një dite pas sekuestrimit të dy shoqërive Micro Credit Albania dhe “Final” nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, 20 Korrik në rrugën “Ramazan Shijaku”, ku dyshohet se 45 vjeçari Ibro është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër dhe për pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albenia).
MCA ka mbi vete vetëm veprën penale të “mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”; por “Final” përveç akuzës së përbashkët me MCA, akuzohet edhe për pastrim parash. Por deri më tani, nga Prokuroria e Tiranës nuk jepen sqarime se paratë e kujt janë “pastruar” përmes kësaj kompanie që tashmë është nën sekuestro.
Nga hetimet, del se MCA dhe Final, duke bashkëpunuar me shoqërinë “ADCA” dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore kanë krijuar një skemë mashtruese për të zhvatur qytetarët. Ende nuk është përllogaritur vlera e mashtrimit ndaj qytetarëve, për shkak se është ose në para, ose në prona, ose të dyja bashkë janë të riinvestuara. Ndaj përllogarit një dëm që sipas hetuesëve arrin në 10-tra milion euro. Të gjitha këto prona dhe para që u janë marrë qytetarëve, kompanitë i kanë investuar ose i kanë përdorur për aktivitete të tjera.
Prokuroria ka dalë në përfundimin se punonjës e tyre, në bashkëpunim me përmbaruesit: kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve,debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme. Bëhet fjalë për numra e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj.
Kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme, dhe jo vetëm telefonata, me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive
Kanë gënjyer në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore. Kanë sekuestruar llogari bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor. Kanë sekuestruar prona të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur. Kanë shitur apo kanë kaluar në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo personave të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.
Skandali i mikrokredive në SPAK
Deri tani për mashtrimin me mikrokreditë, gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”: Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote.
Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbaruesë nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit.
Tashmë çështja është në SPAK dhe gjithçka pritet të dalë në shesh.Më 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë dhe dërgoi në SPAK dosjen