Linja ajrore hungareze Wizz Air po paralajmëron pasagjerët që sot të mbërrijnë në aeroport të paktën tre orë përpara fluturimit të tyre pasi priten ndërprerje të mundshme për shkak të një problemi të vazhdueshëm me sistemet globale të IT, transmeton Portalb.mk.
Siç raportohet nga Wizz Air, mund të ketë ndërprerje të rrjetit pasi shërbimet e uebsajtit dhe aplikacioneve celulare janë përkohësisht të padisponueshme.
“Gjatë ndërprerjes, e disponueshme është paraqitja falas në aeroport. Prandaj, ne këshillojmë pasagjerët që të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 orë përpara kohës së planifikuar të nisjes për të lejuar kohë të mjaftueshme për check-in, kontrollin e sigurisë dhe procedurat e shëndetit dhe sigurisë specifike të aeroportit”, thuhet në njoftimin e Wizz Airit.
Ndër shërbimet që nuk janë aktualisht të disponueshme janë ueb-faqja e Wizz Air dhe aplikacioni celular, sistemi i rezervimit, sistemi i regjistrimit dhe shfaqjes së biletave në internet dhe qendrat e kontaktit – rezervime të reja dhe ndryshime në ato ekzistuese.
Për shkak të një dështimi të madh të IT-së, sot linjat ajrore të botës, aeroportet në të paktën katër kontinente, sistemet shëndetësore, bankat, telekomunikacioni, media dhe kompani të tjera, institucione dhe organizata po përballen me vështirësi në punën e tyre.
Një numër në rritje i qeverive dhe institucioneve pretendojnë se pas dështimit të madh teknologjik që goditi kompanitë dhe sistemet në mbarë botën, nuk ka asnjë sulm hakerësh dhe ata e gjejnë fajtorin në softuerin e kompanisë së sigurisë kibernetike CrowdStrike.