Site icon Tetova Expres

Ndryshimet e mëdha klimatike kërcënim për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore del me rekomandime

Gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim me për një mbrojtje eficiente të popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike, thotë Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor (CCDR) i Grupit të Bankës Botërore, i cili u botua sot.

Përfitimet nga veprimet në kuadër të klimës do të ishin tejet të konsiderueshme për Ballkanin Perëndimor, i përbërë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Investimet në këtë kuadër do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetëve njerëzore, pasurive dhe rënies së prodhimtarisë, si dhe do të kontribuonin në rritje më të shpejtë ekonomike.

Për këtë rajon, që aktualisht është i ndikuar seriozisht nga ndryshimet klimatike, mosveprimi nuk është alternativë e mundshme.

Për shembull, përmbytjet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë mbi dy milionë njerëz gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që ndikimet priten të përkeqësohen në kuadër të reshjeve më ekstreme që priten. Zjarret janë një tjetër kërcënim gjithnjë e më i madh.

Advertisement

Në vitin 2021 janë regjistruar 1.500 syresh, me rritje prej 21% krahasuar me dhjetëvjeçarin e fundit. Thatësirat po ndikojnë negativisht prodhimin bujqësor, ndërsa valët e të nxehtit po rrisin ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit.

“Ndryshimet klimatike janë kërcënim i qartë ndaj zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, tha Xiaoqing Yu, Drejtor Vendi i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Kostot e investimeve për përshtatje janë të konsiderueshme. Por, lajmi i mirë është që përfitimet e tyre janë edhe më të mëdha. Përgatitja për rreziqet klimatike na mundëson të shpëtojmë jetë, të mbrojmë komunitetet vendore, dhe të nxisim rritjen ekonomike”.

CCDR-ja për Ballkanin Perëndimor rekomandon një sërë politikash me qëllim udhëzimin e tranzicionit të rajonit drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050.

Këto rekomandime janë të organizuara në tre kategoritë e mëposhtme të politikave:

Advertisement

Të ndërthurura: Është e nevojshme që përpjekjet për përshtatje dhe zbutje të integrohen në të gjitha institucionet, me qëllim zbatimin e veprimeve të efektshme për ndryshimet klimatike. Për shembull, duhet të ngrihen agjenci ose komisione të specializuar dhe të përqendruara tek klima, dhe angazhimet kombëtare për ndryshimet klimatike duhet të shërbejnë si kapacitet këshillimor për të gjitha çështjet që lidhen me klimën

Ndërkufitare: Bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor për trajtimin e rrisqeve klimatike që shkojnë përtej kufijve gjeografikë. Forcimi i institucioneve rajonale është veprim kyç për mundësimin e bashkërendimit në fusha si sistemet e paralajmërimit të hershëm, menaxhimin e burimeve të përbashkëta, ose sistemet e harmonizuara të energjisë.

Të synuara: Trajtimi i nevojave të veçanta të komuniteteve të cenueshme është element thelbësor për zgjidhjet e efektshme dhe zbatimin e politikave. Politikat e synuara përfshijnë reformat në arsim dhe formim me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë së fuqisë punëtore, si dhe përpjekjet për zbatimin e praktikave inteligjente në lidhje me klimën.

Exit mobile version