Ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit gjatë natës ashtu edhe mëngjesin e sotëm po vazhdojnë punën për vënien nën kontroll të plotë të zjarrit mbi Manastir.
Nga Komuna e Manastirit mëngjesin e sotëm kanë bërë të ditur se së bashku me ekipet e ndërmarrjeve publike në terren aktualisht ndodhen mbi 100 persona, për të cilët janë siguruar sasi të mjaftueshme të ushqimit dhe ujit, përcjell INA.
Njëkohësisht po mbahet komunikimi me Qendrën e Menaxhimit të Krizave (QMK) nga ku është paralajmëruar mbështetje ajrore në shuarjen e zjarrit.
Drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov njoftoi mëngjesin e sotëm se një helikopter turk ka shkuar herët në malin Serta.
“Falënderime të veçanta Republikës së Turqisë për ndihmën e dërguar nga dy aeroplanë ajror për shuarjen e zjarrit dhe një helikopter “Black Hawk””, theksoi Angelov.
Për shkak të zjarreve në Maqedoni janë mbyllur dy akse rrugore. Nga ora 22:54 në unazën e Manastirit në drejtimin rrugor Prilep-Resen komunikacioni është devijuar përmes qytetit të Manastirit.
Siç njoftoi AMSM, shkak është një zjarr aktiv.
Për shkak të zjarrit aktiv në rrugën rajonale R1103 Negotinë – Shtip, afër fshatit Pepelishtë, është ndërprerë qarkullimi për të gjitha llojet e automjeteve, në të dy drejtimet.(INA)